Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, sot në 18 vjetorin e vrasjes e përkujtoi veprimtarin e LDK-së, ish-kryetarin e Komunës së Suharekës, Ukë Bytyçin.

Hoti deklaroi se vrasja e Ukë Bytyqit, sikurse shumë vrasje të tjera politike në Kosovë, ishte sulm i drejtpërdrejtë kundër Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kundër të ardhmes së Kosovës.

“Planifikuesit dhe ekzekutorët e këtyre akteve të liga qëlluan mbi njerëzit më të devotshëm të vendit, mbi veprimtarët dhe prijësit e shquar të rezistencës paqësore dhe të luftës sonë për liri, mbi deputetë, kryetarë komunash e kryetarë të degëve të LDK-së, si dhe mbi bashkëpunëtorët më të ngushtë dhe këshilltarët e Presidentit Rugova. Enver Maloku, Shaban Manaj, Ismet Rraci, Smajl Hajdari, Ukë Bytyqi, Tahir Zemaj, Ekrem Rexha – Drini, Xhemajl Mustafa e shumë personalitete të tjera të nderuara të vendit u vranë vetëm pse i qëndruan besnikë të palëkundur kauzës së lirisë, pavarësisë dhe demokracisë, në krye të së cilës ishte arkitekti i shtetit tonë, Presidenti Ibrahim Rugova.”, shkroi Hoti në facebook.

Tutje, kryeministri shtoi se për veprën  e madhe të Bytyçit për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, Presidenti Rugova e ka dekoruar Ukë Bytyqin me Medaljen e Artë të Pavarësisë.

“Si emri i kësaj medaljeje, i artë ishte Uka ynë, njeri, prind, qytetar dhe prijës shembullorë!”, shtoi Hoti.

Ukë Bytyçi, i cili ishte edhe kryetar i Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Suharekë, ishte vrarë më 27 tetor 2002 në Leshan, derisa ishte duke kaluar përmes fshatit së bashku me simpatizantët, që i gëzoheshin fitores së freskët në nivel komunal./21Media