Gjykata Themelore në Gjakovë – Departamenti për Krime të Rënda ka shpallur aktgjykim dënues kundër të akuzuarit E.B. për veprën penale, “Vrasja” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

I akuzuari E.B. është shpallur fajtor dhe i është shqiptuar dënim unik me burg për dy veprat penale në kohëzgjatje prej 16 vjet, në të cilin dënim do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga data 1 nëntor 2017.

I akuzuari është obliguar që të paguajë shpenzimet procedurale në shumën prej 1,521.68 euro, shpenzimet e paushallit gjyqësorë në shumën prej 400 euro si dhe shumën prej 50 euro, në emër të kompensimit të viktimave të krimit në afat prej 15 ditëve pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Gjatë shqyrtimit gjyqësor të zhvilluar dy ditë më parë, i akuzuari E.B., ka pranuar fajin se me 1 nëntor të vitit 2017 në Gjakovë, pikërisht në qebaptoren “T-B” me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin A.H. për shkak të një mosmarrëveshje që i akuzuari kishte pasur kohë më parë me tani të ndjerin.

Të akuzuarit i vazhdohet masa e paraburgimi deri në plotfuqishmëri të aktgjykimit.