Vrasje e rëndë në Mitrovicë

Një 49 vjeçar ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra me armë zjarri sot në orët e para të ditës në në rrugën “Evlia Çelebia” në Mitrovicë.
Në këtë rast edhe një 52 vjeçar ka mbetur i plagosur i cili është duke u trajtuar në QKUK.
Rastin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.
“Nga informatat e para nga vendi i ngjarjes është kuptuar se si pasojë e të shtënave me armë zjarri, dy persona ishin plagosur të cilët me urgjencë janë dërguar në Spitalin Rajonal në Mitrovicë, më pas janë dërguar në QKUK- Prishtinë. Ndërsa rreth orës 02:00, nga autoritetet spitalore është raportuar se njëri nga të plagosurit, viktima D. S., 49 vjeçar, si pasojë e plagëve ka vdekur, ndërsa i plagosuri tjetër viktima J. S., 52 vjeçar, mbetet në tretman të mëtejmë mjekësor”, ka thënë Zahiti.
Pas ekzaminimeve të kryera në vendin e ngjarjes, hetuesit e krim-teknikës si prova materiale kanë gjetur katër gëzhoja dhe një predhë të plumbit si dëshmi materiale që ndërlidhen me rastin.
Nga hetimet e deritanishme dhe dyshimet e ngritura, dy persona të dyshuar janë në kërkim policor identiteti i të cilëve tashmë është i njohur për policinë.
Rrjedha hetimore është duke vazhduar në drejtim të arrestimit të personave të dyshuar si dhe ndriçimit të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me rastin e veprës penale vrasje e rëndë.
Trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në IML./21Media

Back to top button