5 persona plagosen

5 persona plagosen

Një person rreth të 50-tave është vrarë në mesditë në qytetin e Kavajës pas një konflikti mes disa të rinjve, për gërvishtjen e makinave.

Nga të shtënat mbetën të plagosur edhe 5 persona, tre prej të cilëve ndodheshin në lokal, të cilët nuk kishin lidhje me autorët.

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 12:30 në lagjen numër 2, ku viktima Ramazan Hasanlliu u qëllua nga plumbat teksa po kthehej në banesën e tij me një qese me bukë në dorë.

Dëshmitarët, por edhe policia thanë se viktima nuk ishte i përfshirë në konflikt, pasi ka qenë kalimtar në vendin e ngjarjes.

Në komunikatë policia sqaroi se autorët e vrasjes janë shtetasit Marjus Alia, tashmë i arrestuar në gjendje të plagosur në spital dhe Denis Alia në kërkim, të dy vëllezër mes tyre.

Sipas dëshmive dhe provave të mbledhura pikënisja e konfliktit ka qenë fërkimi i automjeteve të dy palëve, vëllezërve Alia dhe tre personave të tjerë.

Pasi kanë prekur makinat, gjatë lëvizjes në lagjen numër 2 të dy palët kanë zbritur dhe janë konfliktuar verbalisht për disa minuta. Më pas ata kanë shkuar në banesat e tyre ku kanë marrë armët dhe janë rikthyer në vendin e ngjarjes një orë pas konfliktit të parë.

Përplasja ka vijuar për disa minuta dhe dy grupet në konflikt janë ndjekur me njëri-tjetrin nga zona ku ka mbetur i vrarë 50-vjeçari.

Në vendin e ngjarjes policia ka gjetur 4 armë zjarri dhe ka bllokuar dy automjeteve që i përkasin pjesëtarëve të palëve që janë konfliktuar mes tyre./oranews