Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq edhe njëherë ka folur mbi deklaratën që nxiti shumë reagime në Kosovë, e për të cilën Bashkimi Evropian ende nuk ka reaguar.

Ai kishte thënë se “konflikti në Nagorno Karabak ka treguar shembullin e një konflikti të ngrirë, por kur dikush e shkrin atë, mund të përshkallëzojë në një katastrofë të vërtetë”.

Ndërsa, sot tha se ai ishte shumë i qartë në deklaratat e tij të djeshme rreth politikës dhe dialogut me Prishtinën, ku nuk ndryshoi qëndrim por, shtoi se nuk do të dëshironte luftë.

“Ata kanë problemet e tyre të brendshme. Deklarata ime ishte e saktë dhe e qartë, unë po flisja për nevojën për të shmangur një politikë të konfliktit të ngrirë dhe që një konflikt i ngrirë mund të çojë në një konflikt në të ardhmen, gjë që askush nuk do të dëshironte të ndodhte”, citon b92 të ketë thënë ai.

Vuçiq tha se politika e paqes është e rëndësishme për Serbinë.

“Është e rëndësishme për mua që të mbajmë paqen dhe kjo do të jetë politika e Serbisë”, tha Vuçiq.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka theksuar se ky deklarim është në kundërshtim me të gjitha zotimet që Serbia i ka bërë, nën garancat e faktorit ndërkombëtarë, për paqen e qëndrueshme dhe zhvillimin ekonomik të rajonit. Ai tha se Qeveria e Kosovës pret nga Bashkimi Evropian dhe nga NATO-ja të reagojë ndaj këtyre provokimeve./21Media