Vuçiq: Jugosllavia e vjetër plus Shqipëria, kjo është ideja politike

Vuçiq ka për  qëllim krijimin e zonë së lirë tregtare në Ballkanin Perëndimor

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka premtuar se do të thellojë lidhjet tregtare në Ballkanin Perëndimor pasi të marrë funksionin e presidentit në qershor.

Në intervistën e parë pas fitores në zgjedhjet presidenciale, për portalin e Brukselit Politico, Vuçiq tha se do të dyfishojë përpjekjet me qëllim të krijimit të zonë së lirë tregtare në Ballkanin Perëndimor, përfshirë investimet në infrastrukturë, siç është autostrada që do të lidhë Beogradin me Sarajevën.

Edhe pse Kosova, Shqipëria, Bosnja, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia aktualisht bashkëpunojnë në kuadër të CEFTA-s, Vuçiq thekson se është e domosdoshme një bashkëpunim më i fortë për të arritur rritje të konsiderueshme.

Entuziazëm të veçantë ai ka treguar për çështjen e projekteve të infrastrukturës, ndërsa gjatë intervistës ka thirrur njërin nga ndihmësit që t’i sjellin hartën me punët e planifikuara përmes të cilave Beogradi do të lidhej me Sarajevën dhe Prishtinën.

“Kjo është Jugosllavia e vjetër, plus Shqipëria. Kjo është ideja politike, por pa rrezikuar sovranitetin e tyre. Kjo do të forcojë ekonomitë tona”, tha Vuçiq./21Media

Back to top button