Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka bërë kërkesë që ta vizitojë sot Kosovën, i shoqëruar nga dy prej ‘njerëzve problematik’ të tij në raport me Kosovën, ministri i Mbrojtjes, Aleksandër Vulin dhe Marko Gjuriq si dhe Shefin e të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

Siç raporton televizioni publik bazuar në burime të saj, bëhet e ditur se kërkesa është bërë përmes Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, ashtu siç parashihet në marrëveshjen e Brukselit për vizita të tilla. Vuçiq ka kërkuar që Kosova t’i sigurojë ekipit të tij eskortë policore për përcjellje gjatë qëndrimit në Kosovë, e po ashtu edhe t’ua lejojë mbajtjen e armëve gjatë kësaj vizite.

Ende është e paqartë nëse Vuçiqit do t’i lejohet kjo vizitë në Kosovë, pas zhvillimeve të fundit politike, deklaratave të tij me të cilat kërcënoi rajonin me luftë e sidomos pas zbulimit të varrezës masive, në afërsi të Rashkës në Serbi, me trupat e shqiptarëve të vrarë gjatë luftës nga forcat serbe në Kosovë.