Vuçiq thotë se me Escobarin biseduan për gjetjen e një kompromisi në dialogun me Kosovën

I dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka takuar sot në Beograd presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Vuçiqi deklaroi se ka pasur një bisedë “të hapur dhe të drejtë” me zyrtarin amerikan dhe se beson në përmirësimin e marrëdhënieve me SHBA-në, shkruan N1.

“Një bisedë e hapur dhe korrekte me përfaqësuesin amerikan. Besoj në përmirësimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe SHBA-së”, ka shkruar Vuçiqi në Instagram pas takimit në Beograd me Escobar.

Kabineti i Vuçiqit pas takimit njoftoi se është diskutuar për procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe për mundësitë për gjetjen e zgjidhjeve kompromisi dhe të qëndrueshme në dialogun e zhvilluar me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Sipas raporteve, Vuçiqi “përsëriti qëndrimin e pandryshuar” të Serbisë në lidhje me ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe zgjidhjen e çështjeve të hapura ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, me theks në zbatimin e plotë të marrëveshjeve të nënshkruara deri më tani “dhe ruajtjen e interesave shtetërore dhe kombëtare”.

Ai ka falënderuar SHBA-në për mbështetjen që i japin dialogut, si dhe për angazhimin kur është fjala për sigurinë dhe mbrojtjen e popullit serb në Kosovë dhe formimin e asociacionit.

Vizita e Escobarin vjen vetëm pak kohë pasi Kosovën dhe Serbinë i vizitoi përfaqësuesi special i BE-së për dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Miroslav Lajçak, i cili në kuadër të përgatitjeve për takimin e liderëve të Kosovës dhe Serbisë në Ohër më 18 mars, u takua me zyrtarët më të lartë të Kosovës dhe Serbisë, por edhe me përfaqësues të opozitës.

Back to top button