Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafa sot deklaroi se ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Aleksandër Vulin u paraqit sot në seancat e Gjykatës së Lartë në Beograd për t’iu përgjigjur padisë së ngritur nga ai për shkak të përdorimit të termit “šiptari”, në paraqitjet e tij zyrtare dhe publike.

Mustafa u shpreh se Vulin u paraqit sot në Gjykatë pas dy ikjeve nga seancat paraprake. “Madje, Ministri i Policisë erdhi i shoqëruar me dhjetëra mbështetës me trup korpulent, për t’i bërë presion gjykatës.”, u shpreh Mustafa përmes një shkrimi në facebook.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar deklaroi se sot gjatë seancës, përveç që e konfirmoi padinë, theksoi se do ta kundërshtojë institucionalizimin e gjuhës denigruese dhe fyese ndaj shqiptarëve në Serbi nga ana e zyrtarëve shtetërorë. “Duke e rikujtuar gjykatën se termi “šiptar” është edhe në kundërshtim me vetë përdorimin zyrtar dhe ligjor në Serbi, ku njihet ligjërisht termi “albanac”, shkroi ai.

“Kësisoj, si Ministër, z.Aleksandër Vulin, nuk po i mjafton që po i fyen bashkështetasit e tij shqiptarë nga pozita e ministrit dhe që po e shkelë gjuhën zyrtare të Republikës ku ai shërben si pjesë e kabinetit qeveritar, por tashmë edhe po e përdor pushtetin e tij ekzekutiv për t’i bërë presion gjyqësorit të Serbisë.”, shkroi tutje Mustafa në facebook./21Media