Deputeti shqiptar në Serbi, Shaip Kamberi , i ka reaguar Ministrit të  Punëve të Brendshme të Republikës së Serbisë, Aleksandër Vulin  i cili po vazhdon ta përdor termin pezhorativ “šiptari” për shqiptarët.

Kamberi ka thënë se nuk po ndihet i ofenduar.

“Sepse nuk mund të ndjehesh i ofenduar nga dikush që nuk ka dinjitet. Problemi është se z.Vulin tregon se nuk e respekton vetë shtetin e Serbisë dhe ligjet e saj. I kujtojmë z.Vulin se të gjitha dokumentet zyrtare të Republikës së Serbisë emërtojnë shqiptarët si “Albanci”.,  ka shkruar Kamberi në rrjetet sociale.

Tutje ai ka thënë se Vulin është shembulli më i mirë që tregon se në cfarë niveli është Serbia tani.

“Paramendoni, Ministri i Brendshëm që nuk i përfill ligjet e shtetit, terminologjinë zyrtare. Prandaj, z.Vulin është sot një nga simbolikat më të mira se ku është katandisur Serbia së sotme. Pa e harruar faktin se duke e përdorur gjuhën e urrejtjes ndaj shqiptarëve, z.Vulin dëshmon se nuk shqetësohet për reagimin që prodhon gjuha e tij, në përditshmërinë e qytetarëve serbë që jetojnë në mjediset e përziera me shqiptarët. Por natyrisht se z.Vulin nuk shqetësohet për fatin e Sllavicës dhe Draganit që bashkëjetojnë me shqiptarët. Ata dëshiron vetëm t’i shfrytëzojë për pushtetin e tij, duke e aktruar patriotin serbomadh nga restorantet luksoze të Beogradit.”, ka përfunduar Kamberi./21Media