Gjatë ditës së martë është inauguruar Qendra Kulturore ‘’Hasan Prishtina’’ në Vushtrri.

Të pranishëm në inaugurimin e kësaj qendre ishin kryeministri në detyrë Avdullah Hoti, kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, si dhe ministrja e Kulturës Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi.

Kryetari i Vushtrrisë Xhafer Tahiri tha se inaugurimi i kësaj qendre është dëshmi e besimit në ndryshim dhe dëshmi për atë që deshën qytetarët e Vushtrrisë që këtu të mbetet Shtëpia e Kulturës dhe jo banesa siç ishte planifikuar më parë.

“Shtëpia e Kulturës ‘Hasan Prishtina’ sot që po e promovojmë bashkë me këtë sallë të teatrit që ka ruajtur vlerat e veta që nga fillimi i themelimit, bashkë me bibliotekën, bashkë me sallën e vallëzimit për ansamblin, arkivën e qytetit dhe lokalet tjera përcjellëse qëndrojnë sot dhe do të qëndrojë përgjithmonë si dëshmi e besimit në ndryshim dhe si dëshmi e asaj që atë që e deshën qytetarët e Vushtrrisë që në këtë vend të vazhdojë të mbetet Shtëpia e Kulturës dhe jo banesat siç ishte planifikuar”.

Kryeministri në detyrë Avdullah Hoti uroi artistët e Vushtrrisë për objektin e ri i cili siç tha ai do të ndikojë në organizimin më të mirë të jetës kulturore dhe artistike në këtë qytet.

“Sot jemi këtu për të qenë bashkë me kryetarin dhe bashkëpunëtorët e tij ne këtë komunë, për të përuruar dhe për të përgëzuar artistet e Vushtrrisë artistët e Vushtrrisë të të gjitha zhanreve për të ju uruar atyre këtë objekt të mirë i cili padyshim do të ndikojë në organizimin më të mirë të jetës kulturore dhe artistike në këtë qytet që e kemi të gjithë për zemër”.

Ministrja e Kulturës Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi ndër të tjera tha se sot qytetit të Vushtrrisë po i shtohet edhe një pasuri pasi po inaugurohet një qendër e kulturës multifunksionale.

“Sot qytetit te Vushtrrisë po ia shtojmë edhe një pasuri. Jam shumë e lumtur që sot po inaugurojmë këtë qendër te kulturës që ofron hapësirë të ndryshme dhe do të jetë multifunksionale ku do të ketë ekspozita të ndryshme, salla koncertale, teatër, bibliotekë, dhe shumë hapësira tjera”.

Ndryshe, Dumoshi premtoi se shumë do të nisin punimet edhe në studionin e qytetit, ndërsa investimet për qytetin e Vushtrrisë nuk do të ndalën me kaq.