Vushtrria nuk ka pasur vërshime të tilla qysh nga viti 1979

 

Në 50 vjetët e fundit, vërshimet gjatë mbrëmjes dhe sot në qytetin e Vushtrrisë po vlerësohen si më të jashtëzakonshmet si shkak i reshjeve dhe daljes nga shtrati të lumit Sitnica.

500 familje në komunën e Vushtrrisë janë përmbytur si shkak i këtyre vërshimeve, ndërkohë që lumi Sitnica ka dalë nga shtrati. Me mijëra hektarë tokë janë përmbytur, dhe shumë ferma janë përmbytur. Komuna thotë se kanë fonde të limituara për të ndihmuar fermerët.

Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, kryetari Xhafer Tahiri tha se kjo komunë mbrëmë dhe sot paradite është përballur me vërshime të mëdha, të cilat nuk mbahen mend qe nga viti 1979. Veç tjerash, bëri të ditur se shumë rrugë të qytetit janë bllokuar, ndërsa zonat më të prekura janë ato të qytetit.

Tahiri theksoi se dëmet më të mëdha janë shkaktuar në ekonomi, bujqësi dhe në ekonomitë familjare, teksa Lagjja e Romëve është më e goditura gjatë këtyre ditëve.

“Vushtrria mbrëmë dhe sot paradite është përballur me vërshime të jashtëzakonshme të cilat nuk janë parë në qytetin e Vushtrrisë që nga viti 1979 kur lumi Sitnica kishte përmbytur qytetin e Vushtrrisë. Mbrëmë dhe sot në mëngjes sidomos, si rezultat i fryrjes të lumit Drenica dhe lumit Llap dhe reshjeve të pandërprera të ditëve të fundit lumi Sitnica ka dalë nga shtrati dhe janë përmbysur qindra hektarë tokë ku përgjatë lumit Sitnica, ku në qytet kemi afër 500 familje dhe shtëpi që janë përmbytur nga uji. Po ashtu, kemi pasur përmbytje të shtëpive në fshatin Pestovë, Nadakocë, Prelluzhë dhe fshatrat tjera që janë për gjatë lumit Sitnica”, ka njoftuar Tahiri.

Ai ka bërë të ditur se zjarrfikësit, Ushtria e Kosovës, Kryqi i Kuq dhe shumë vullnetarë kanë dalë në ndihmë për evakuimin e banorëve të rrezikuar nga vërshimet.

“Janë evakuuar gjithsej afër 100 familje me ndihmën e FSK-së, me ndihmën e zjarrfikësve dhe me ndihmën e këtyre shoqatave vullnetare. Ndërkohë që duke e ditur që lumi Sitnica mund të rritet sot dhe mbrëmë ne dje kemi shpallur gjendjen e emergjencës civile dhe kemi njoftuar te gjithë banorët përmes kryetarëve te fshatrave duke i paralajmëruar për rrezikun e vërshimeve dhe duke i këshilluar banorët që të largojnë njerëzit nga shtëpitë përgjatë lumit Sitnica”, u shpreh ai.

Tahiri ka njoftuar se familjet e evakuuar po qëndrojnë te të afërmit e tyre, e shumë të tjerë po qëndrojnë në katet e dyta, ndërkohë që vërshimet kanë shkaktuar dëme të mëdha edhe në ferma e toka bujqësore.

“Janë përmbytur shumë ferma, ndërkohë që në një fermë është shkaktuar dëmi më i madhi ku janë përmbytur 120 dele dhe nuk kanë arritur ekipet e shpëtimit që të ndihmojnë fermerin për të shpëtuar bagëtinë e vet nga vërshimet. Po ashtu si shtab emergjent komunal menjëherë mbrëmë dhe sot kam mbledhur shtabin e krizës. Janë caktuar vendet e strehimit në Palestrën e Sportit në Samadrexhë dhe në qytet shkollat e qytetit janë shndërruar në qendrat e strehimit nëse ka nevojë për banorë”, tha ai.

I pari i kësaj komune u ka bërë thirrje qytetarëve që të vlojnë ujin para pijes, meqë ka pasur ndërprerje si shkak i ndotjes.

“Komuna, për far të keq, ka fonde tepër të limituara, për të mos them zero fonde që t’iu dalë në ndihmë këtyre fermerëve. Por ne do ta bëjmë vlerësimin e dëmeve dhe këtë vlerësim do t’ua dërgojmë Qeverisë së Kosovës për të kërkuar nga ata që të bëhet kompensimi”, u shpreh ai. 

Back to top button