Lëvizja Vetëvendosje uroi qytetarët e Podujevës, pas rezultateve preliminare, sipas së cilave Shpejtim Bulliqi i kësaj partie i fitoi zgjedhjet e sotme në komunën e Podujevës.

VV përmes një shkrimi në facebook deklaroi se fitorja e Bulliqit është ndryshim i madh për Podujevën.

“Lëvizja i uron gjithë qytetarët e Llapit për këtë fitore plebishitare, me të cilën ata treguan besimin për kryetarin e ndryshimit, Shpejtim Bulliqin. Me të parën, pa hezim e pa frikë, me zemrat zjarr e sytë gjithë shpresë, masivisht, qytetarët e deshën ndryshimin dhe ia zbardhën faqen komunës së tyre.
Kjo fitore është 4, vullnet i madh i popullit, e përgjegjësi e madhe e jona. Lëvizja dhe Shpejtim Bulliqi janë gati për detyrën e besimin që votuesi na dha.”, u shkrua në faqen zyrtare të VV-së.

VV u shpreh se prej nesër janë në shërbimin e secilit qytetar, pa dallim partie e prejardhjeje.

“Nuk do të lëmë qytetar pa përgjigje, as problem pa e adresuar. Do të jemi kudo ku do të thirremi e kudo ku do të ketë nevojë për ne. Vështirësitë e pandemisë do t’i përballojmë sëbashku. Nuk do t’ju lëmë vetëm. Do t’i sigurojmë barnat dhe ambulancat, menaxhimin e shkollave e qendrave të mjekësisë familjare, përkujdesjen për nxënësit e të infektuarit. Mjekët e infermierët do të na kenë me vete, mësimdhënësit do të na kenë krah e gratë do të jenë pjesë e jona.
Ju qytetarë të komunës së Podujevës keni dhënë një mesazh të madh e i keni bërë një thirrje të fuqishme të gjithë Kosovës për rrugën që duhet të ndjekin e guximin që duhet të kenë. Na keni gëzuar shumë. Na e keni bërë zemrën mal. Jehona e kumbimit tuaj ndihet në të gjithë Kosovën.”, u shkrua në faqen e partisë.

Sipas VV-së, këto zgjedhje treguan se është shumë e mundshme të organizohen votime gjatë pandemisë, edhe në Kosovë, si në vendet e tjera.

“Populli po kërkon ndryshim, dhe vonesat veç sa i shtojnë pakënaqësitë për politikën e vjetër dhe korrupsionin e saj.”, u shkrua më tutje në faqen e VV-së.

Në rezultatet preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pa numërimin e votave me kusht dhe atyre me postë, Shpejtim Bulliqi i Lëvizjes Vetëvendosje fitoi me 51.64% të votave në Podujevë. Në konferencën e fundit të KQZ-së për sot, kryetarja Valdete Daka tha se Nexhmi Rudari, kandidati i LDK-së në Podujevë, parti kjo që deri tani ka qeverisur me këtë komunë për 20 vjet, mori 35.97% të votave.

“Shpejtim Bulliqi, Lëvizja Vetëvendosje ka 51.64% të votave të numëruara, Nexhmi Rudari LDK ka 35.97 për qind dhe Naim Fetahu PDK ka 12.40 për qind të votave të numëruara. Këto janë rezultatet preliminare pa votat me musht dhe votat jashtë vendit. Në Mitrovicën e Veriut Lista Serbe Milan Radojeviq ka 89.81 për qind të votave të numëruara, Erden Atiq nga VV ka 3.68 për qind, Florent Azemi PDK 3.54 për qind”, tha Daka./21Media