Lëvizja Vetëvendosje ka refuzuar kërkesën e Qeverisë Hoti për të marrë pjesë në takime ku do të diskutohej për dialogun e ardhshëm me Serbinë.

Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi i VV-së, Arlind Manxhuka përmes një statusi në Facebook, duke thënë se një qeveri e varur dhe mundësuar nga votat e Listës Serbe dhe e formuar nga Thaçi e për të si dhe një qeveri që ia heq shtetit të Kosovës reciprocitetin me Serbinë nuk ka as kredibilitet as legjitimitet.

“Në selinë qendrore të Lëvizjes VETËVENDOSJE! kemi pranuar një letër para dy ditësh ku ftohej Kryetari i LVV, Albin Kurti që të diskutojë me qeverinë aktuale për dialogun e ardhshëm me Serbinë. Një qeveri e varur dhe mundësuar nga votat e Listës Serbe dhe e formuar nga Thaçi e për të si dhe një qeveri që ia heq shtetit të Kosovës reciprocitetin me Serbinë nuk ka as kredibilitet as legjitimitet. Prandaj ne nuk i jemi përgjigjur asaj ftese sepse nuk do të jemi pjesë të këtyre takimeve”, ka shkruar Manxhuka në Facebook.