Të shkelur dhe përdhosur po e konsideron Lëvizja Vetëvendosje vullnetin e qytetarëve në zgjedhjet e parakohshme të vitit të kaluar. Kjo parti opozitare duke kërkuar zgjedhje të reja, ia kërkoi dorëheqjen kryeministrit Avdullah Hoti për t’u “matur” te populli. Ndërkohë, partia e Albin Kurtit mundësinë për zgjerim të koalicionin qeverisës me PDK-në po e sheh si frikë të tyre ndaj zgjedhjeve. Derisa rithekson vijat e kuqe për bashkëqeverisje ndaj partisë së Kadri Veselit.

Në përvjetorin e parë të zgjedhjeve parlamentare, nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca tha se interesat e përbashkëta të LDK-së me partitë e PAN-it devijuan vullnetin qytetarë.

Përmes një konference për medie, Konjufca adresoi kritika ndaj qeverisë Hoti edhe për “nënshtrimin” ndaj Serbisë në marrëveshjen e Uashingtonit.

“Avdullah Hoti e ka një shans të mirë për t’i ndihmuar Kosovës, kjo shans është me dhënë dorëheqje. Kjo dorëheqje do të ishte me ia lëshua rrugën popullit të Kosovës që në mënyrë të lirshme këta me vendos. Vullneti demokratik nuk mundet me u vjedhë”, tha ai.

Ndërkaq, anëtarja e kryesisë LVV-së, Albulena Haxhiu tha se vullneti i 6 tetorit të vitit të kaluar u shkel nga ata që morën vota kundër të keqes.

“Ne bënë gjithçka për të jetësuar vullnetin e qytetarëve. Por ky vullnet u shkel dhe u përdhosë nga ata që morën votën kundër të keqes, por në fakt u bashkuam me të keqen. Gjatë katër muajve dëshmuan se mund të qeverisës ndershëm dhe pa hajni e korrupsion. Dëshmuan se mund të ketë qeveri të përgjegjshme ndaj parasë publike. Dëshmuan se shteti mund të çlirohet nga kapësit dhe ndërmarrjet mund të jetë të pavarura dhe institucionet publike mund të jenë në shërbim të qytetarëve”, tha ajo.

Ndërsa, e pyetur për mundësitë e zgjerimit të qeverisë Hoti me PDK-në, Haxhiu tha se kjo e fundit është një opozitë “false” dhe se për t’iu ikur zgjedhjeve këto parti janë në gjendje të bëjnë gjithçka.

“E vetmja opozitë në Kuvend është Lëvizja Vetëvendosje, në anën tjetër kemi një opozitë false që është PDK-ja. Përndryshe nuk kish pas asnjë efekt nëse një subjekt opozitar nuk i jep nënshkrimet për të proceduar mocionin e mosbesimit të kësaj qeverie. Për çdo ditë qesin kushte të reja. Prandaj duhet me theksua faktin se edhe partitë që janë në pushtet dhe kjo opozita false PDK-ja kanë frikë të madhe nga një kërkesë e vetme dhe legjitime, e cila është kërkesa për zgjedhje të jashtëzakonshme. Këta janë gjendje të me bërë gjithçka vetëm mos me u përballë me popullin…25:11 Lëvizja Vetëvendosje nuk ka hequr vija të kuqe për subjektet të cilat kemi deklaruar se kemi vija të kuqe, këtu është PDK-ja. Pra iu e dini që ne vazhdimësi kemi thënë që nuk bëjmë koalicion me këtë parti. Kërkesa jonë për dhënie të nënshkrimeve nuk ka të bëjë asgjë me heqjen e vijave të kuqe”, tha ajo.

Një vit më parë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare Lëvizja Vetëvendosje doli e para me rreth 26 përqind të votave./kp