Walker: Masakra e Reçakut ishte moment kthese për Kosovën

(Lajm i përditësuar)
Ish-shefi i misionit verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker ka thënë se është i lumtur se me çdo vit po rritet numri i njerëzve që po marrin pjesë në homazhe në përvjetorin e masakrës së Reçakut.
Walker po ashtu ka thënë se çdo vit në Kosovë vjen edhe për të parë përparimin në Reçak, Shtime e po ashtu në Kosovë dhe secilën herë largohet me përshtypje pozitive.
“15 janari i vitit 1999, ishte një ditë me mot të tmerrshëm, kishte borë, akull, ishte e vështirë të ngjiteshim në vendin ku ishin trupat që ishin vrarë një natë më parë. Sot, shikoj diellin duke ndriçuar, qiellin e katër, kjo simbolizon se gjërat definitivisht kanë ndryshuar, jo vetëm simbolikisht. Unë kam marrë pjesë ndoshta në 15 ceremoni, ndërsa vi kryesisht për të parë njerëzit e fshatit Reçak, njerëzit që pash së pari në mizoritë e asaj dite. Shumë prej tyre nuk janë më me ne. Ishin të moshuar atëherë, në moshë time. Por, më pëlqen të shoh shumë fëmijë. Këtë vit kur ecëm te varret, nuk isha në gjendje të dalloja se cilat ishin familjet e viktimave e cilët ishin njerëz që duan të tregojnë respektin. Çdo vit numri i njerëzve që duan të tregojnë respektin po rritet”, tha ai.
Walker po ashtu ka thënë se është i lumtur që edhe vitet e fundit edhe institucionet qendrore të Kosovës po vijnë në homazhe.
Walker ka thënë se Masakra e Reçakut ishte moment kthese për Kosovën.
“Jo se ishte masakra e parë apo e fundit në këtë vend, por për një numër arsyesh gjërat u bënë bashkë. Ditën tjetër e gjithë bota e kuptoi për Reçakun. Ishte në ballina të gjithë botës. Në Serbi, Qeveria e Beogradit e z. Milosheviq dhe z. Vuçiq, nisën të bëjnë gjërat që të kujdeseshin që bota të mos dëgjonte për Reçakun apo ta pranonte versionin e tyre. Por, falë Zotit kjo nuk ndodhi. Mediumet botërore erdhën, transmetuan pamjet e asaj që po ndodhte në Kosovë, e si rrjedhojë erdhi intervenimi i NATO-s. Është fantastike të shoh atë që është bërë me Reçakun sot, është një vend që ka rëndësi të madhe për mua. Kam sjellë sot shokë të ngushtë dhe kam dashur të shohin se çfarë do të thotë Kosova për mua, çfarë rëndësie keni ju për mua”, tha Walker.
12:15 – Kurti: Ata që mohojnë gjenocidin, ëndërrojnë për përsëritjen e tij

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur në akademinë përkujtimore me rastin e 24-vjetorit të Masakrës së Reçakut.
Ai u shpreh se ata të cilët e mohojnë gjenocidin, ata ëndërrojnë për përsëritjen e tij.
Kurti tutje u shpreh se një krim i tillë nuk mund të fshihet e as të amnistohet.
“Ata të cilët e mohojnë gjenocidin, ata ëndërrojnë për përsëritjen e tij. Por, një krim kundër njerëzimit, e një gjenocid si ai që kryen forcat e Serbisë në Reçak me 15 janar, nuk mund të fshihet, nuk mund të mjegullohet dhe nuk mund të amnistohet”, u shpreh ai.
Kurti ndër të tjera foli edhe për ambasadorin, William Walker.
Ai u shpreh se Walker i ka dhënë veprimtarisë së tij një vend të rëndësishëm në historinë moderne të Kosovës.
12:00 – Osmani: Çdo varr në Reçak ka një histori tmerri 

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka folur në ceremoninë për përkujtimin e Masakrës së Reçakut, duke thënë se krimet e kryera në Reçak i dëshmuan botës për tragjedinë që po e përjetonin shqiptarët.
“Krimet monstruoze shërbyen si një moment i kthesës historike, jo vetëm ngase aty mizoria e Millosheviqit ndaj civilëve shqiptarë mori trajtën më çnjerëzore, por edhe ngaqë shënoi një moment në të cilin vetëdija ndërkombëtare u zgjua përfundimisht. Ky moment kthese lidhej edhe me një emër e një njeri, ambasadori William Walker, i cili edhe sot, njësoj si në vitin 99 e çdo vit pas tij, është këtu bashkë me banorët e Reçakut, bashkë me familjen e bashkë me të gjithë Kosovës”, tha ajo.
Osmani tha se krimet e kryera në Reçak i dëshmuan botës për tragjedinë që po e përjetonin shqiptarët, duke e bërë të pashmangshme ndërhyrjen e botës demokratike për të ndalur këtë makineri vrastare.
“Kodra e Bebushit u shndërrua në vendin në të cilin krimet kundër njerëzimit nuk mund të fshiheshin më nga makineria Millosheviqiane. Sot kur i kujtojmë me dhimbje të dashurit tanë, detyrimi për të siguruar drejtësi për ta bëhet synimi ynë më i rëndësishëm. Historia e gjithsecilit prej tyre është vet historia e Kosovës. Ata thërrasin për drejtësi sot e kurdo herë. Mos të harrojmë kurrë që çdo varr në Reçak ka një histori tmerri”, ka shtuar ajo.
10:42 – Krerët e shtetit bashkë me Walker bëjnë homazhe në Reçak
Presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufca, kryeministri Albin Kurti të shoqëruar edhe nga ambasadori, William Walker, ish-kryesues i Misionit Verifikues në Kosovë në vitet ’99, kanë bërë homazhe pranë Kompleksit Memorial në Reçak.
Pas nderimeve, liderët do të marrin pjesë edhe në akademinë përkujtimore që mbahet me rastin e 24-vjetorit të Masakrës së Reçakut.
Edhe Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka bërë homazhe te varret e të vrarëve në Reçak.
10:05 – Homazhe në Reçak në përvjetorin e masakrës
Qytetarë të shumtë kanë shkuar të dielën në Reçak të Shtimes për të kryer homazhe në nder të 45 martirëve në masakrën e kryer në këtë vend para 24-vjetësh.
Nga liderët politikë, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi bashkë me nënkryetarët e kësaj partie bënë homazhe te varret e të vrarëve.
Edhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj bashkë me zëvendësministrin, Shemsi Syla dhe drejtues të FSK-së kanë vendosur kurora lulesh në Kompleksin Memorial në fshatin Reçak.
Për homazhe do të jenë edhe krerët më të lartë të vendit si dhe liderë të tjerë politikë e institucionalë.

07:35 – 24-vjetori i masakrës së Reçakut
Sot Kosova përkujton 45 martirët në Masakrën e Reçakut.
Masakrimi i tyre nga ushtria dhe paramilitarët serbë, më 15 janar të vitit 1999, bëri që bashkësia ndërkombëtare të niste kthesën për çështjen e Kosovës.
Ambasadori asokohe i misionit të OSBE-së, William Walker, pa me sytë e tij dhe përjetoi tmerrin e shkaktuar nga Serbia.
Ai pati deklaruar se nuk ka fjalë ta përshkruante këtë akt.
Për nder të shënimit të kësaj date, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca, do të bëjnë homazhe tek Memoriali Përkujtimor. Kjo ngjarje filon nga ora 10:00.
Ndërkohë nga ora 11:00, krerët e shtetit do të marrin pjesë në ceremoninë përkujtimore, në Shtëpinë e Kulturës në Shtime.
Vendosja e kurorës së përbashkët në memorial me prezencë të togut ceremonial të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe nderimet te varrezat në memorial janë po ashtu në agjendë.

Back to top button