Xhaçka në OKB: Interneti dhe teknologjia s’duhet të përdoren si armë

Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës mblodhën bashkë vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit dhe ekspertë të njohur ndërkombëtarë për të diskutuar mbi sigurinë kibernetike.

Duke folur mbi sfidat që ka sjellë siguria kibernetike, ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, e cila bashkëdrejtoi takimin me Përfaqësuesen e Përhershme e SHBA në OKB, Linda Thomas-Greenfield, theksoi se interneti dhe teknologjia nuk janë dhe nuk duhet të përdoren si armë, por se ato duhet të mbeten mjete dhe forca për të mirën e përbashkët.

“Na takon ne të përcaktojmë rrugën që duhet të marrë teknologjia. Duke identifikuar dhe dënuar sjelljen në kundërshtim me normat ligjore të shtetit dhe duke inkurajuar veprime pozitive për të përmirësuar sigurinë dhe stabilitetin e hapësirës kibernetike, Këshilli i Sigurimit mund të zvogëlojë rrezikun e konfliktit që rrjedh nga veprimet keqdashëse. Shqipëria rithekson pozicionin e saj në favor të një hapësire kibernetike globale, të hapur, të lirë, të qëndrueshme dhe të sigurt, ku respektohen ligjet ndërkombëtare, të drejtat e njeriut dhe liritë themelore, në dobi të zhvillimit social, politik dhe ekonomik”, tha kryediplomatja shqiptare.

Përfaqësuesja e Përhershme e SHBA në OKB, Linda Thomas-Greenfield u shpreh se siguria ndërkombëtare kibernetike mbetet një prioritet global, teksa nënvizoi se Këshilli i Sigurimit duhet të marrë një rol udhëheqës në ngritjen e ndërgjegjësimit, dënimin dhe mbajtjen përgjegjës të aktorëve për aktivitete keqdashëse kibernetike.

“Është koha që vullnetin e mirë ta kthejmë në veprime konkrete. Ne mezi presim të punojmë me të gjitha shtetet anëtare për të realizuar qëllimin tonë të përbashkët për një hapësirë kibernetike të hapur, të sigurt dhe të qëndrueshme, nga e cila përfitojmë të gjithë ne”, deklaroi ajo.

Nënsekretarja e Përgjithshme dhe Përfaqësuesja e Lartë e Zyrës së OKB për Çarmatimin (UNODA), Izumi Nakamitsu, deklaroi se, parimi i llogaridhënies është thelbësor për të trajtuar shqetësimet mbi besimin dhe mosbesimin në hapësirën kibernetike.

“Detyra kryesore për shtetet anëtare është të marrin në konsideratë se si të zbatojnë normat e sjelljes së përgjegjshme të shtetit në mënyrë që ato të bëhen funksionale”, shtoi ajo.

Takimi ‘Arria Formula’ me temë “Përgjegjësia dhe reagimi i shteteve ndaj sulmeve kibernetike” u bashkëorganizua nga Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara, shkruan Atsh. Takimi kishte në thelb trajtimin e sigurisë kibernetike, si një çështje kyçe në përgjegjësinë e Këshillit të Sigurimit për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.

Back to top button