Maqedonia do të votojë më 15 tetor

Maqedonia do të votojë më 15 tetor

Maqedonia për zgjedhjet e reja lokale do të votojë më 15 tetor. Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi saktë në mesditë e nënshkroi vendimin për shpalljen e zgjedhjeve për kryetarët e rij dhe këshilltarët komunal për në 80 komuna në Maqedoni.

“Sipas të gjitha dispozitave ligjore, zgjedhjet lokale do të mbahen më 15 tetor(të dielen), 2017. Aktvendimi për shpalljen e zgjedhjeve do të dërgohet te organi për zbatimin e zgjedhjeve, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve i Republikës së Maqedonisë. Apeloj te të gjithë pjesëmarrësit në procesin zgjedhor, në periudhën para ditës së zgjedhjeve dhe në vetë ditën e zgjedhjeve, të sillen në përputhje me Kushtetutën dhe dispozitat ligjore, ndërsa institucionet kompetente të sigurojnë që i gjithë procesi zgjedhor dhe vetë dita e zgjedhjeve të rrjedhë në atmosferë të qetë, korrekte dhe demokratike, ashtu siç meritojnë qytetarët e nderuar të Republikës së Maqedonisë”, tha Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, përcjell TV21

Koordinatori i grupit të deputetëve të LSDM-së në Kuvend, Tomislav Tuntev deklaroi se partia e tij është e përgatitur për pjesmarrje në zgjedhjet lokale.

“Me fitoren e LSDM-së në zgjedhjet e tanishme lokale, fillimi i procesit të reformave do të vazhdojnë edhe në nivelin lokal. Pas ndryshimit të qeverisjes lokale do të ndërpritet në tërësi partizimi dhe robërimi i institucioneve në nivele komunash, që për momentin në numër të madh janë të robëruara dhe të partizuara nga ana e VMRO-DPMNE-së”, tha Tuntev.

Shpresë për fitore në zgjedhjet të cilat do të mbahen më 15 tetorë shprehi edhe VMRO-DPMNE, të cilët presin që të fitojnë numrin më të madh të kryetarëve të komunave dhe këshilltarë.

“VMRO-DPMNE dhe koalicioni “Për Maqedoni të përbashkët “ është e gatshme për zgjedhjet lokale ku presim që me programin tonë dhe ofertën kuadrovike të fitojmë numrin më të madh të votave në këto zgjedhje, numrin më të madh të këshilltarëve në krahasim me partitë e tjera politike dhe numër më të madh të kryetarëve të komunave në krahasim me koalicionet e tjera politike”, u shpreh Antonio Milloshoski, VMRO-DPMNE.

Përkrahje për shpalljen e zgjedhjeve lokale arriti edhe nga Lëvizja Besa, prej ku thonë se janë të përgatitur të marrin pjesë në zgjedhjet lokale, por kërkojnë që të kenë anëtarë të tyrin në komisionin zgjedhor.

“Në përputhje me këto dispozita ligjore, ky anëtar duhet ti përkasë Lëvizjes Besa, dhe gjithsesi se pjesëmarrja e anëtarit të tanishëm i cili është diskutabil në KSHZ, do të ndikonte që të kemi zgjedhje të cilat ndoshta do të ishin diskutabile” u shpreh Fadil Zendeli, Lëvizja Besa.

Mandatet e kryetarëve të komunave dhe këshilltarëve u zgjat nga ana e deputetëve në seancën e katërt e cila u mbajt më 1 qershor. Atëherë u votuan ndryshimet në Kodin zgjedhor me të cilat u ndryshua termini për mbajtjen e zgjedhjeve lokale nga gjysma e parë e muajit maj për në gjysmën e parë të muajit tetor./21Media