Hapja e xhamive nuk do të jetë në listën e masave lehtësuese të fazë së dytë që pritet të hyn në fuqi nga 18 maj. Kështu ka vendosur Kryesia e Bashkësisë Islame e cila në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, kanë vlerësuar se ekziston ende rreziku i përhapjes së pandemisë COVID-19.

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, pasditen e djeshme ka pritur në takim Ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitinë, me të cilin ka diskutuar për gjendjen aktuale në Kosovë nga pandemia globale Covid-19, ku edhe u bë e ditur se xhamitë pavarësisht që gjendemi në muajin Ramazan, do të vazhdojën të jenë të mbyllura.

Madje edhe për Festën e Fitës Bajrami, e cila do të festohet më 24 maj.

Në komunikatën e BIK-ut thuhet se myftiu i vendit, fillimisht ka falënderuar të gjithë besimtarët myslimanë për mirëkuptimin që kanë pasur gjatë gjithë kësaj kohe, duke respektuar, në rend të parë rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë, së bashku me ato të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, por në veçanti edhe vendimet e Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës.

“Për Bashkësinë Islame të Kosovës ka qenë tejet e vështirë pezullimi i faljeve me xhemat i namazeve ditore dhe tubimeve tjera”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se Bashkësia Islame e Kosovës, në ditët e fundit ka qenë mjaft aktive me kontakte të vazhdueshme që të paktën në 10 netëshin e fundit të muajit të Ramazanit të hapen xhamitë, por gjatë bisedës së sotme me ministrin në detyrë, Arben Vitinë, u bë e ditur se një veprim i tillë është me rrezikshmëri të lartë dhe kësisoj shëndeti i besimtarëve është primar dhe tejet i rëndësishëm.

Në anën tjetër, Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka falënderuar besimtarët për respektimin e rekomandimeve të institucioneve shëndetësore dhe vendimet e Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës.

“Planet e institucioneve shëndetësore janë prishur gjatë katër ditëve të fundit ku numri i rasteve të reja me ‘Covid – 19’ është rritur dhe si e tillë gjendja vazhdon të jetë e pasigurt”, tha Vitia.

Po ashtu, ai u bëri thirrje edhe një herë të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës që të respektojnë rekomandimet në maksimum në mënyrë që të mos ketë valë të re epidemiologjike.

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava dhe Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia u dakorduan që të jenë në kontakt të vazhdueshëm në lidhje me situatën e krijuar në vend nga pandemia, ndërsa së bashku u uruan agjërim të lehtë dhe të pranuar të gjithë besimtarëve myslimanë.