Nga: Lucia Maffei

Përktheu: Bujar Meholli

Nëse shumë njerëz e njohin qytetin e Lucca-s për muzikantët e famshëm klasikë që nga Boccherini, Catalani, te Puccini, maestro i padiskutueshëm i melodramës, – mbase jo të gjithë e dinë se në vitet ’50, muret e qytetit gjëmonin nga ritmi i xhazit që rrihte në shpirt e zemër.

Ishte viti ’47, vetëm dy vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Në qytetin Lucca, u lind Hot Club Lucca, një klub me qëllim favorizimin dhe promovimin e xhazit. Aktivitetet e muzikantëve të rinj, pas viteve të veprimtarisë klandestine të detyruar nga regjmi fashist, më në fund u liruan dhe nisën transmetimet dhe interpretimi i muzikës në radio, tingujt e ri të së cilës vinin dhe zbrisnin nga Amerika, duke shtuar kështu dashamirësit e xhazit në qytet.

Ky gjak i ri i Lucca-s do të krijojë njërin nga grupet më të rëndësishme italiane të xhazit, Quartetto di Lucca. Anëtarët e grupit, Giovanni Tommaso në kontrabas, vëllai i tij Vito në piano, Antonello Vannucchi në vibrafon dhe Giampero Giusti në bateri, të gjithë me origjinë të pastër lukase, u takuan dhe nisën të luanin muzikë në një bodrum të Piazza San Giovanni, vetëm disa hapa larg qytetit. Në atë bodrum të errët, nisi një nga aventurat që edhe sot e gjithë ditën përbën bazën e shkollës italiane të xhazit.

Dhe, është e vërtetë që Lucca së bashku me zonën aty pranë Versilia-s, ishte në fund të viteve ’50 një nga vendet kult të muzikës së re. Në klubin Bussola, i kthyer në një tempull kombëtar nga Sergio Bernadini, mund t’i dëgjoje zërat dhe muzikën e artistëve të njohur italianë dhe të huaj të atyre viteve. Trio Carosone, Fred Boungusto, Buscaglione, Adriano Celentano, Luigi Tenco, Patty Pravo, Fabrizio De Andrè, Mina, të gjithë emra themelorë të muzikës moderne italiane, por edhe Juliette Greco, Josephine Baker, Ella Fitzgerald, Ginger Rogers dhe Marlene Dietrich, zbarkonin për shkak se Sergio Bernardini ishte largpamës dhe kishte talent të shkëlqyer për kombinimin e stileve të reja muzikore me ato tradicionale. Kah fundi i viteve ’50, falë këtij ambienti dhe kësaj gjallërie të madhe kulturore, shumë artistë të muzikës xhaz që zbarkonin në Itali gjatë turneve të tyre nëpër Evropë, vendosnin të luanin edhe nëpër qytete më të vogla të Toskanës.

Midis tyre ishte një lojtar i ri, me fytyrë engjëllore, me njëfarë stili jetese të turbulluar. Chet Baker arriti për herë të parë në Firence në vitin 1956 dhe më pas u kthye shpesh në Toskanë, ku u bë mik i mirë me Giampiero Giuistin, daullistin e Quartetto di Lucca. Nga këtu nisi një aventurë muzikore, me amerikanin, që përshkonte një turne në tërë Italinë, më 1958. Chet Baker mbeti shumë i lidhur me Lucca-n dhe bregdetin e Versilias, ku Bernardini e thërriste shpesh për koncerte dhe në klubin Bussolotto, vend i vogël ku luhej muzikë deri në orët e hershme të mëngjesit.

Chet Baker

Kur gjendej në Lucca, Chet qëndronte gjithnjë në Hotel Universo në dhomën 15, i ulur në prag aty pranë dritares dhe duke luajtur në bori. Kjo dhomë është edhe sot e kërkuar nga adhuruesit e tij, dritaret e saj binin në sheshin Teatro del Giglio, ku Chet pati mbajtur disa koncerte. Por, mbase më emocionuesi për të ishte ai koncert i organizuar për nder të tij më 15 dhjetor të vitit ’61 nga miqtë, xhaz lojtarët: Giovanni Tommaso, Franco Mondini, Antonello Vannucchi dhe Amedeo Tommasi, ditën kur u largua nga burgu i San Giorgio-s në Lucca, një vit pas paraburgimit. Një vit më parë, në natën e 31 korrikut të vitit 1960, Chet kishte një histori, kishte përdorur drogë dhe si pasojë e mbidozës u plandos në një pompë karburanti në periferi të qytetit. Rreth njëzet ditë më vonë, u arrestua dhe u padit. Gjyqi, i mbajtur në Lucca, u ndoq me vëmendje edhe nga gazetat italiane dhe ato të huaja. Mario Frezza, një avokat nga Lucca, e mori në mbrojtje dhe ia doli që t’ia zvogëlojë kohën e burgimit nga shtatë vite dënim që ia dha Prokurori Publik i Firences. Në fund, Chet u dënua me “vetëm” gjashtëmbëdhjetë muaj dhe i kaloi ato në mjediset e burgut të qytetit. Gjatë atyre muajve, kompozonte me zjarr dhe thuhet se në muret e qytetit pranë burgut, grupe fansash mblidheshin për t’i dëgjuar tingujt e tij që vinin nga brendësia e burgut.

Sot, pas kaq vitesh xhazi është prezent në qytetin e Lucca-s

Xhazi është akoma prezent në Lucca, notat e tij ritmike vazhdojnë e krijohen në raste dhe takime që mbledhin njerëz, pasionantët e xhazit. Circolo del Jazz është pasardhës i klubit historik Hot Club Lucca duke organizuar festivalin Lucca Jazz Dona që iu dedikohet ekskluzivisht grave dhe yjeve të mëdhenj të xhazit që e portretizojnë tablonë e qytetit. /21Media

Botuar në gazetën “Perini”