Yagcilar: S’do të ketë rritje të pagave, por nivelizim të tyre

Reforma në Administratën Publike, ishte temë diskutimi në Komisionin për Administratë publike

Ministri Mahir Yagcilar, tha se po punohet mjaft shumë për reformat në Administratën Publike.

“Mund të konstatohet se ekziston një vizion koherent i reformës së Administratës Publike në nivel shtetëror. Nga ana tjetër të gjitha dokumentet e lartshënuara përmbajnë sfidat objektivat dhe hapat kyç që nevojiten të përmirësohen”, tha ai.

Anëtarët e Komisionit patën kritika lidhur me reformat në Administratë, pagat e deputetëve por edhe për Ligjin për Paga.

Deputeti i Nismës Zafir Berisha tha se Administrata publike në Kosovë, po shfrytëzohet për të ruajtur ‘status quon’ në vend.

Ndërsa deputeti i AAK-së Lahi Brahimaj ka ngritur çështjen e pagave të deputetëve, për të cilën u hap një debat për to.

Ai për të gjithë këtë që ka ndodhur në media kur u raportua për rritje të pagave të deputetëve fajëson kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli.

“Pas pak doli super lajmi ose supermeni që tha se nuk do të lejojë me u rrit rrogat Kadri Veseli. Është mirë me sqaru për opinion kush e ka bërë këtë lajm. Apo i njëjti e ka lëshu këtë lajm dhe e ka porositur që me ba një pyetje të tillë që me thanë se nuk lejoj me u rrit rrogat e deputetëve”, tha Brahimaj.

Zenun Pajaziti nga PDK-ja tha se nuk është sfidë paga e deputetëve, por sfidë mbetet harmonizimi i pagave të shërbyesve civil.

Duke folur për Ligjin për Paga, Yagcilar sqaroi se qëllimi i këtij ligji është nivelizimi e jo rritja e tyre.

“ Edhe për deputetët dhe për ministrat dhe zëvendësministrat që janë me mandat politik, duhet të planifikohen pagesat për ata që s’do të jenë deputet dhe ministra ose zëvendësministra dhe për ata duhet të parashikohet një pagesë. Kjo s’ka lidhje me rritjen e pagave as të deputetëve as të ndonjë pozite tjetër. …Në atë ligj nuk do të ketë zvogëlim, nuk do të ketë rritje, por nivelizim të pagave. Fillohet prej presidentit dhe tek çdo pozitë, mund të ketë rritje mund të ketë zvogëlim, qëllimi është të mos bëhet asnjë zvogëlim i pagave, sidomos në sektorët e rëndësishëm si shëndetësia, arsimi, policia, siguria, administrata publike”, tha ministri Yagcilar.

Ligji për Pagat është tërhequr nga Qeveria me kërkesë të Komisionit Evropian, pasi që ky i fundit ka kërkuar që ky ligj së bashku edhe me Ligjin për Shërbimin Civil dhe Organizimin e Administratës Shtetërore të shkojnë në një pako në Kuvend. Qeveria ka tërhequr ligjin dhe që të tri këto ligje do të procedohen në pako.

Back to top button