Ylli i Premier Ligës shkakton sherr të madh

Ylli i Fulham-it dhe kombëtares së Nigerisë, Alex Iwobi, ka përfunduar në qendër të kritikave pas një veprimi të pashpjegueshëm gjatë ndeshjes miqësore kundër Jordanisë.
Ndonëse po shijon një sezon të shkëlqyer në Premier League, Iwobi “humbi qetësinë” në minutat shtesë të takimit (2-2), kur pas një ndërhyrjeje taktike nga kapiteni kundërshtar, Amer Jamous, u hodh mbi të me një lëvizje që media britanike Daily Mail e ka cilësuar si të stilit “UFC”.
Ky veprim i dhunshëm shkaktoi menjëherë një përleshje masive mes lojtarëve të të dyja kampeve, përfshirë edhe stafin teknik që u fut në fushë.
Pasi situata u qetësua, arbitri i tregoi kartonin e kuq mesfushorit nigerian, duke mbyllur në mënyrën më të keqe një periudhë të errët për Nigerinë, e cila tashmë është zyrtarisht jashtë Botërorit 2026 pas eliminimit shokues nga DR Kongo në fazën play-off.
Tifozët në rrjetet sociale u shprehën të habitur, duke thënë se nuk e kishin parë kurrë ish-lojtarin e Arsenalit në një gjendje të tillë agresiviteti.