Sot në moshën 83-vjeçare ka vdekur ikona e muzikës së mirëfilltë shqiptare, Ismet Peja. Artistët kanë shprehur ngushëllime me rastin e vdekjes së këngëtarit të njohur.

Këngëtarja e njohur, Yllka Kuqi ndër të tjera është shprehur se gjithmonë do të jehojë zëri i Ismet Pejës.

“E kurorezuam dashurine nen tingujt e zerit tend prej bilbili, na dhe shume mend nga pervoja jote jetesore e profesionale, deri ne minutat e fundit te jetes kthjelltesia e mendjes tende te trembte…jam e lumtur qe jetova ne kohen tende, qe isha pjese e jetes e familjes tende dhe qe edhe Luiza arriti te t’takoj … e kur te rritet do t’mesoje kenget e tua…do te jetoj e jehoje gjithmone Zeri yt…Lamtumire Baca Ismet.”, ka shkruar këngëtarja krahas fotografisë së publikuar në instagram, në të cilën shihet me bashkëshortin dhe këngëtarin Ismet Peja.

Ministrja e Kulturës, Rinise dhe Sportit, Vlora Dumoshi sot ka shprehur ngushëllime për familjen e Ismet Pejës. Dumoshi ka thënë se emri i Ismet Pejës do të jetë përjetësisht i lidhur me këngën burimore shqiptare, me melosin popullor shqiptar dhe me veprimtarinë muzikore të Kosovës në përgjithësi.

Ismet Peja është lindur më (27 Prill 1937). Ai ishte këngëtar i këngëve të vjetra qytetare. Ai ishte lindur në Gjakovë, biri i Musa Pejës, i cili ishte po ashtu këngëtar i melosit shqiptar. Që në fëmijëri prej moshës 13/14 vjeçare kishte filluar të merrej me muzikë. Sukseset më të mëdha i ka arritur me shoqërinë muzikore “Hajdar Dushi”, me të cilën kishte prezantime të shumta në TVP dhe Radio Prishtinë. Albumi i tij i parë kishte dalur në vitin 1986 me orkestrën e “Hajdar Dushit”.

Ismet Peja do të varroset sot në orën 15:00 në varrezat e qytetit në Gjakovë./21Media