Ymeri: Fletëarresti jo ligjor duhet të anulohet menjëherë

”Në vend se të hetohen ata që ia cënojnë integritetin Kosovës, kërkohet arrestimi i Albin Kurtit që ka protestuar për të kërkuar një demarkacion të drejtë”

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, duke komentuar urdhërarrestin e lëshuar ndaj Albin Kurtit, ka thënë se ky fletëarrest i pabazë e jo ligjor duhet të anulohet menjëherë.

Ai përmes një postimi është shprehur se në vendin ku sundon krimi e padrejtësia, lëshohet urdhër-arresti për aktivistin që proteston për drejtësi, barazi e demokraci.

“Po bëhemi gazi i botës. Edhe pse aferat korruptive mes politikanëve, biznesmenëve e kriminelëve kanë dalë sheshit, me publikimin e dosjes “Pronto”, në vend se të lëshohet urdhër-arresti për ta, lëshohet për ata që i denoncojnë këto afera korruptive e që proteston kundër tyre. Në këtë rast për Albin Kurtin. Edhe pse shkencëtarët kanë ngritur me argumenta e studime çështjen se Kosovës po i vidhet territori përmes një marrëveshje të padrejtë të nënshkruar nga pushtetarët, në vend se të hetohen ata që ia cënojnë integritetin Kosovës, kërkohet arrestimi i Albin Kurtit që ka protestuar për të kërkuar një demarkacion më të drejtë”, ka shkruar Ymeri.

Ai më tutje është shprehur se do të duhej të arrestoheshin ata që vjedhin e korruptojnë e jo ata që u munduan t’i parandalojnë këto.

”Edhe pse ka vendim të Gjykatës Kushtetuese që thotë se pushtetarët kanë nënshkruar marrëveshje për Asociacionin e Komunave Serbe duke e thyer e duke e shkelur Kushtetutën, në vend se të arrestohen ata që e shkelin themelin ligjor, kërkohet arrestimi i atyre që protestuan dhe e parandal uan këtë shkelje. Kosova e tenderëve të vjedhur, e korporatave miliardere, e lluksit të oligarkëve, e nepotizmit, e shkatërrimit të shkollave e spitaleve, e varfërisë ekstreme dhe e papunësisë, nuk e ka asnjë të arrestuar përgjegjës për këto, edhe pse provat e dokumentat janë tashmë sheshit, sepse askush prej tyre nuk fshihet më ngaqë gjyqësorin dhe policinë e kanë nën kontroll”, ka shkruar Ymeri.

Sipas tij, Kosova e protestës kundër këtyre fenomeneve tashmë i numëron dhjetëra muaj burg për qindra aktivistë. “E sot po kërkojnë t’a arrestojnë dhe Albin Kurtin. Ky fletë – arrest i pabazë e jo ligjor. Duhet të anulohet menjëherë”, ka shkruar më tutje ai.

Për shkak të mungesë së tij në seancën gjyqësore për gazin lotsjellës. Është lëshuar urdhërarrest dhe paraburgim për deputetin e Vetëvendosjes, Albin Kurtin. Sipas aktakuzës, Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi, Albulena Haxhiu e Faton Topalli akuzohen për përdorim të armës ose mjetit të rrezikshëm dhe pengim të personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare./21Media

Back to top button