Zaev: Gjashtë deputetë nga VMRO i drejtuan dhunuesit

Deputetët nga LDSM-ja dhanë dëshmi për ngjarjen e 27 prillit

Tentim për vrasje me një plan të përgatitur paraprakisht, kështu u shpreh lideri i LDSM-së, Zoran Zaev për ngjarjet në shtëpinë ligjvënëse më 27 prill, dëshmoi në PP-në e Shkupi si palë e dëmtuar. Sipas tij dy deputetë të VMRO-DPMNE-së i kanë hapur dyert e Kuvendit, ndërsa katër bashkpartiak të tyre u kanë dhënë udhëzime protestuesve si të arrijnë në pres qendrën. Ai porositi që është e qartë se bëhej fjalë për plan dhe se ekzekutuesit por edhe porositësit duhet të përgjigjen, shkruan tv21.tv.

“Gjashtë deputetë të VMRO-DPMNE-së kanë marrë pjesë në mënyrë direkte në organizimin e hapjes së dyerve, dy prej tyre i kanë hequr pengesat e hekurit, ndërsa të tjerët u kanë dhënë udhëzime protestuesve, se si të arrijnë deri në pres qendrën ku kanë qenë deputetët e shumicës. Besoj që kjo gjë në procedurën do të vërtetohet. Ka dëshmi të qarta dhe nuk e di se si do të munden ata kolegë të na shikojnë në sy, si dhe ne ata, por duhet të vazhdojmë me punë”, u shpreh Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.

Para Prokurorit publik u paraqit edhe sekretari i përgjithshëm i LSDM-së, Oliver Spasovski i cili tha se përveç përgjegjësisë së sulmuesve, pret nga prokuroria të përcaktoj përgjegjësi për mënyrën se si ka vepruar policia

“Pa kompromis duhet të kërkohet përgjegjësi nga të gjithë. Edhe nga ata që ishin sulmues edhe nga ata që në mënyrë të organizuar hynë në Kuvend me qëllim që të vrasin deputet, por do të duhet të ketë përgjegjësi serioze edhe atë përgjegjësi për komandë edhe në MPB-në për të gjithë pjesëtarët e saj të cilët nuk kanë vepruar për të mbrojtur objektin i cili është me rëndësi vitale por edhe për të mbrojtur jetën e deputetëve të pranishëm atje”, tha Oliver Spasovski, sekretar i përgjithshëm i LSDM-së.

Javën e ardhshme, në prokurori pritet të dëshmojnë edhe dy deputet të tjerë nga VMRO-DPMNE-ja. Por nga kjo parti edhe sot e përsëritën pyetjen se pse deputetët e shumicës parlamentare vendosën që të zgjidhnin kryetarin e Kuvendit në moment kur para Kuvendit kishte, siç thonë ata, protestant paqësor.

“Pyetemi se pse ata të cilët ishin të vetëdijshëm dhe kanë pasur informata për eskalim të mundshëm të situatës kanë vendosur në orën 18:30, kur para Kuvendit çdo ditë ka pasur protestues paqësor, ta bëjnë shkeljen e Rregullores me zgjedhjen e Kryeparlamentarit”, tha Antonio Milloshovski, VMRO-DPMNE.

Dy javë pas dhunës në Kuvend kur 100 persona u lënduan, askush ende nuk është dënuar. Është ngritur akuzë për nëntë persona për pjesëmarrje në turmë, ndërsa dy persona u është caktuar padi penale për tentim për vrasje./21Media

Back to top button