“Unë nuk do të bëhem peng i 5 korrikut dhe si datë të qëndroj fiks pas saj. Duke e pasur parasysh se edhe zotëri Mickovski dhe unë disa herë përmendëm se më e pranueshme është që zgjedhjet të mbahen të mërkurën si ditë jopune, ja heq dorë nga 5 korriku dhe pajtohem që zgjedhjet të jenë më 8 korrik të mërkurën, ndërsa të hënën dhe të martën të votojnë të sëmurët, qytetarët në vetizolim, qytetarët që janë pozitivë të cilat janë në spitale dhe në shtëpi, të gjithë të sëmurët kronikë, personat më të moshuar”, tha lideri i LSDM-së dhe ish kryeministri Zoran Zaev sot nga Strumica, ku mori pjesë në mbikëqyrjen e punëve të repartit të ri spitalor të Spitalit të Strumicës bashkë me kryeministrin Oliver Spasovski dhe ministrin e Shëndetësisë, Venko Filipçe.

Kryetari i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë i bëri thirrje opozitës për përgjegjësi, racionalizëm dhe konstruktivitet.

“Dëshiroj t’i informoj të gjithë se nuk bëhet fjalë për kurrfarë inati ose datë fikse, por bëhet fjalë për shtetin tonë dhe popullin tonë. Për menaxhim më të mirë me krizën korona, me krizën shëndetësore dhe ekonomike të shkaktuar nga virusi, e cila zgjat dhe do të zgjasë në periudhën që kemi para nesh. Jo për shkak të një date të ose për ego partiake. Për këtë, thash se nuk do të bëhemi peng i datave. Për ne është shumë e rëndësishme që të kemi zgjedhje me kohë që t’i kthejmë institucionet, që institucionet t’i shërbejnë popullit me kapacitet të plotë. Institucionet janë për të gjithë qytetarët dhe për ata që e mbështesin pushtetin edhe për ata që e mbështesin opozitën edhe për ata që nuk mbështesin askënd. Për këtë është shumë e rëndësishme pjesëmarrja e opozitës. Bëj thirrje, për përgjegjësi, për racionalizëm dhe për konstruktivet.  Nuk është koha si më parë kur pushtetit paraprak i përshtateshin zgjedhje pa opozitë. Jo, demokracia në të cilën jetojmë kërkon pjesëmarrje aktive të opozitës”, theksoi Zaevi.

Edhe një herë, ai potencoi se opozita duhet të marrë pjesë në zgjedhje, ndërsa megjithatë, ato të jenë në afat të arsyeshëm me qëllim që vjeshta të pritet me kuvend aktiv dhe me qeveri politike me legjitimitet të plotë.

“E dimë se si është vera maqedonase. Në 43 gradë 330 mijë pensionistë me maska në fytyrë – nuk është në rregull që t’i qojmë zgjedhje dhe të dalin në zgjedhje. Në vjeshtë fillon viti i ri shkollor, cikël i ri ekonomik, valë e re e mundshme e virusit dhe sezoni i ri i ngrohjes. Duhet ta presim vjeshtën të përgatitur, ndërsa për këtë nevojiten institucione tërësisht funksionale”, tha Zaevi.

Mickovskit dhe udhëheqësinë e VMRO-DPMNE-së, siç tha, e porositi se po e bën lëshimin e fundit, ndërsa ka bërë lëshime që nga fundi i dhjetorit e deri më tani, që ta pranojnë këtë sfidë dhe më i miri le ta marrë nderin dhe përgjegjësinë e popullit dhe të kthehen institucionet dhe qeveria politike.

“Nëse pranohet tetë korriku do ta lus kryetarin e Qeverisë dhe ministrat që të mblidhen më së voni gjatë ditës, të thirrë mbledhje të Qeverisë dhe të sjellin propozim për vazhdimin e gjendjes së jashtëzakonshme prej tri ditëve, këtë herë për marrëveshje me opozitën, sepse nuk kemi argumente që për shkaqe ekonomike të kërkojmë gjendje të jashtëzakonshme, por ato tri ditë do të japin zgjidhje ligjore të mundësisë, pikërisht më tetë korrik të shkojmë bashkë në zgjedhje”, tha kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, raporton TV21./21Media