Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, i pyetur nga TV21, se a po planifikon të thërrasë takim liderësh për çështjen e historisë dhe gjuhës maqedonase, që po kontestohen nga Bullgaria, tha se nuk sheh nevojë për takim të tillë, gjë që dje e kërkoi kreu i opozitës VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski.

“Nuk shoh nevojë për takim liderësh. Sidomos me një njeri që nuk ka qëndrim për asnjë çështje të rëndësishme nacionale ose strategjike. Gjuha maqedonase, identiteti maqedonas dhe veçantia janë të konfirmuara ndërkombëtarisht dhe njihen nga e gjithë bota. Me fqiun tonë, Bullgarinë, kemi marrëveshje për bashkëpunim dhe fqinjësi të mirë, i cili është nënshkruar edhe në gjuhën maqedonase. Presim që në frymën e kësaj marrëveshjeje, të vazhdojnë që bashkërisht t’i ndërtojmë marrëdhëniet. Për temat që dalin nga Marrëveshja shprehim vullnet t’i zgjidhim përmes punës së komisioneve që kanë kompetenca për këtë. Mickoski nuk është për marrëveshje për asnjë lloj teme, ai kërkon mënyrë vetëm se si ta dëmtojë shtetin, posaçërisht proceset që na çojnë drejt BE-së”, tha Zaev për TV21.