Kreu i LSDM-së, Zoran Zaev informoi sot se partia e tij pajtohet që data e zgjedhjeve të jetë 15 korriku, kërkesë kjo e opozitares VMRO-DPMNE.

“Që populli të mos vuaj dhe që t’i mundësohet Mickoskit dhe VMRO-DPMNE-së që në vepër ta tregojnë përgjegjësinë e tyre e japim 15 korrikun si datë përfundimtare dhe të vetme për zgjedhje, ku në mënyrë të garantuar do të marrë pjesë opozita”, tha Zaev.

Kreu socialdemokrat informoi po ashtu se sot sërish ka komunikuar me Mickoskin i cili i ka konfirmuar Zaevit se do të marrë pjesë në zgjedhje më 15 korrik, megjithatë Zaev pret që kreu i DPMNE-së këtë të dalë dhe ta konfirmojë publikisht para opinionit.

Pas kësaj, sqaroi Zaev, hapi i rradhës do të jetë që Presidentit Stevo Pendarovski t’i kërkohet që edhe një herë të shpallë gjendje të jashtëzakonshme, që të mund të ndryshohet dita e zgjedhjeve, që sipas dekretit të fundit i binte më 5 korrik.

Data e re 15 korrik i bie të jetë e mërkurë, andaj Zaev tregoi se do të jetë ditë jopune për të gjithë.

Të hënën më 13 korrik dhe të martën më 14 korrik do të votojnë të sëmurët dhe personat me shëndet të dobët, ndërsa Zaev paralajmëroi se këtu përfshihen edhe ata që janë pozitiv me koronavirus,  në shtëpi ose në spital. Procesi i votimit do të zgjasë deri në orën 21./21Media