Të rinjtë vullnetarë në një gërmim arkeologjik në Izraelin qendror kanë gjetur 425 monedha ari që ishin groposur në një kavanoz argjili për 1100 vjet.

Shumica e parave datojnë që nga periudha e hershme islamike, kur rajoni ishte pjesë e kalifatit abasid, transmeton rtv21.tv.

Monedhat peshojnë 845g dhe do të kishin vlerë shumë të madhe kur u varrosën, të mjaftueshme për të blerë një shtëpi luksoze në një nga qytetet e Kalifatit.

Se kush i kishte groposur këto monedha dhe pse nuk u kthyen kurrë për t’i marr, mbetet mister.

Drejtorët e gërmimit, Liat Nadav-Ziv dhe Elie Haddad të Izraelit thanë së gjetja e monedhave të arit, sigurisht në një sasi kaq të konsiderueshme, është jashtëzakonisht e rrallë.

“Ne pothuajse kurrë nuk i gjejmë ato në gërmime arkeologjike, duke pasur parasysh se ari gjithmonë ka qenë jashtëzakonisht i vlefshëm dhe ripërdoret nga brezi në brez”, kanë shtuar ata në një deklaratë./21Media