"Marre ju qoftë!"

“Marre ju qoftë!”

Zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi i është kundërpërgjigjur deklaratave të zëvendëskryeministrit Haki Abazi, meqë ky i fundit në një shkrim në Facebook u shpreh se LDK-ja filloi fushatë kundër Qeverisë Kurti në pajtim të plotë me PDK-në.

Në reagimin e tij, Bytyçi i kërkoi Abazit të mos e ngatërrojë PDK-në në krizën politike që e ka filluar me LDK-në.

“Haki Abazi nga Lëvizja Vetëvendosje në këtë luftën e ndytë që kanë filluar me Lidhjen Demokratike të Kosovës, mu në kohen e pandemisë, e paska përmend edhe Partinë Demokratike të Kosovës. Është mirë që ky përfitues e keq-përdorues i fondeve të dedikuara për shoqërinë civile të mos na ngatërroj në krizën politike që e kanë filluar me LDK-në. Partia Demokratike e Kosovës, refuzon me përbuzje çfarëdo pjesëmarrje në krizën Tuaj politike me LDK-në. Fokusi ynë i vetëm në këto rrethana, është te qytetari i Kosovës dhe ekonomia e vendit që janë duke u ballafaquar me pandeminë e virusit covid-19.”, shkroi ai në Facebook.

Zëdhënësi i PDK-së madje i quajti ata të neveritshëm dhe sipas tij nuk e meritojnë të jenë në krye të institucioneve.

Zëvendëskryeministri Abazi shkroi në reagimin e tij ndër tjerash se me qëllimin e Thaçit për ndarjen e Kosovës, s’do të pajtohej kurrë Rugova, ashtu siç nuk u pajtua kurrë./21Media