Zeka: Qeveria e Kosovës nuk u ka kushtuar rëndësinë e duhur investimeve kapitale
Qeveria e Kosovës nuk u ka kushtuar rëndësinë e duhur investimeve kapitale, thotë kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka.
Derisa thekson nevojën për investime të tilla si dhe avancim të infrastrukturës, Zeka thotë se rritja ekonomike e vendit është më e ulët se në vitin 2019.
“Norma e rritjes ekonomike realisht vijon të jetë më e ulët sesa ka qenë në vitin 2019, para pandemisë. Natyrisht, baza ekonomike e vendit ka shënuar rritje në këto vitet e fundit dhe rrjedhimisht i bie që një normë prej më pak se 4 për qind me të cilën besoj se do të mbyllim vitin 2024, në aspektin e gjithmbarshëm do të jetë më e madhe sesa e kemi pasur në vitin 2019, por norma e tillë, nëse flasim si përqindje vazhdon të jetë më e ulët se ajo që e kemi pasur në vitin 2019. Shtyllat kryesore në të cilat bazohet rritja ekonomike e vendit, nuk po vije në përdorim maksimal, këtu është fjala kryesisht për investimet kapitale të cilave kjo qeveri nuk u ka kushtuar rëndësinë e duhur”, thotë Zeka.
Ai konsideron se ritmi i investimeve kapitale është i ngadaltë, derisa thekson se në këtë drejtim duhet të ketë dinamikë më të madhe dhe po ashtu nisje të projekteve të reja.
“Është e pashmangshme, meqë edhe shihet edhe që ka pasur një përqendrim më të madh të qeverisë në realizimin e projekteve të parapara me vitin 2024. Por, megjithatë ritmi është goxha i ngadaltë dhe duhet të jetë një dinamikë shumë më e madhe dhe natyrisht nisje të projekteve të tjera. Vendi ka nevojë për avancimin e infrastrukturës së saj transportuese dhe ky këtu duhet të jetë fokusi i Qeverisë së Kosovës, dhe jo vetëm për të avancuar infrastrukturën rrugore dhe tjetër, por edhe për shkak të ndikimit ose efektit multiplikativ që investimet e tilla kapitale kanë gati të gjitha hallkat e zingjirët e ekonomisë së vendit”, thotë Zeka.
Ndër të tjera, Zeka thotë se përkrahja financiare që parashihet në kuadër të Planit të Rritjes, mund të kushtëzohet nga zbatimi i marrëveshjeve “duke përfshirë ato me Serbinë”.
Ditë më parë, Komisioni Evropian ka miratuar agjendat e reformave për vendet e Ballkanit Perëndimor – hap ky për të mundësuar pagesat e para nga Plani i Rritjes.
Për Ballkanin Perëndimor, Plani i Rritjes ka paraparë 6 miliardë euro prej të cilave Kosovës i takojnë mbi 800 milionë euro.
“Ajo që është fatkeqësi, është që megjithatë edhe përkrahja financiare që parashihet në kuadër të planit të ashtuquajtur të Planit të Rritjes, duket se do të kushtëzohet me zbatimin e disa prej zotimeve që Kosova ka marrë me nënshkrimin e marrëveshjeve të tilla [në kuadër të dialogut], në këtë rast marrëveshjes me Serbinë”, thotë Zeka.
Zeka flet edhe për marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të cilat i quan të përkeqësuara pas veprimeve, siç thotë ai të njëanshme, të ekzekutivit kosovar.
Por, raportet e përkeqësuara sipas tij nuk kanë ndikuar në zhvillimin ekonomik meqë nuk ka ndonjë masë që e ndalon drejtpërdrejt përkrahjen financiare amerikane për Kosovën.
Megjithatë, ai vlerëson se për investitorët amerikanë është me rëndësi cilësia e marrëdhënieve të shtetit me një vend të cilin e synojnë për biznes.
“Investitorët amerikanë megjithatë dëshirojnë të shohin dhe të binden se cili është niveli i marrëdhënieve ndërmjet Qeverisë së Kosovës në këtë rast edhe Qeverisë së ShBA-ve, por megjithatë meqë nuk kemi ndonjë masë e cila ndalon drejtpërsëdrejti përkrahjen financiare të ShBA-ve, atëherë besoj se nuk mund të flasim edhe për ndonjë ndikim në aspektin e zhvillimit ekonomik…Në njërën anë nuk është sekret që cilësia e raporteve është përkeqësuar, dhe kjo është thënë shumë shpesh nga ana e përfaqësuesve të qeverisë amerikane, natyrisht edhe në paraqitjet e zëdhënësit të Departamentit Amerikan të Shtetit, që cilësia e raporteve nuk është ajo që ka qenë, kjo për shkak të veprimeve të njëanshme të Qeverisë së Republikës së Kosovës, e cila ka zgjedhur të mos koordinojë një pjesë të veprimeve të saj me aleatët e saj strategjik, por megjithatë nuk mund të vërtetohet ndoshta ky relacion me normën e zhvillimit ekonomik”, deklaron Zeka.
Qeveria e Kosovës është kritikuar edhe publikisht nga Shtetet e Bashkuara për veprime që ata i kanë konsideruar të njëanshme.
Autoritetet kosovare kanë ndërmarrë disa veprime në pjesën veriore të vendit të banuar me shumicë serbe – në mesin e tyre mbylljen e strukturave paralele serbe si dhe ndalimin e përdorimit të dinarit serb./kp