Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern ka thënë se vendi nuk do të ketë kufij të hapur me pjesën tjetër të botës për “një kohë të gjatë”.

Ardern këtë e bëri të ditur në mbledhjen e kabinetit të Australisë përmes video-lidhjes.

Në atë takim u diskutua për lëvizjen e njerëzve midis Australisë dhe Zelandës së Re lirisht, dhe pa karantinë.

Por ajo ka thënë që vizitorët nuk mund të kalojnë kufirin edhe për një kohë të gjatë.

Si Australia ashtu edhe Zelanda e Re kanë mbyllur kufijtë e tyre për pothuajse të gjithë të huajt si pjesë e përgjigjes së tyre ndaj Covid-19.

Të martën, Zelanda e Re nuk raportoi asnjë rast të ri për ditën e dytë me radhë.

Ka pasur më pak se 1.500 raste të konfirmuara në total, dhe vetëm 20 vdekje. Javën e kaluar Zelanda e Re lehtësoi bllokimin e saj nga Niveli 4 në Nivelin 3.

Australia e cila ka rreth 25 milionë banorë, pesë herë më shumë se Zelanda e Re  ka pasur pothuajse 7,000 raste dhe 96 vdekje.