Zelensky kundër çdo marrëveshjeje me Rusinë që përfshin humbjen e territoreve

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka përjashtuar mundësinë e heqjes dorë nga ndonjë territor i vendit të tij në një marrëveshje të mundshme paqeje me Rusinë.
Në një intervistë për BBC për të shënuar një vit nga pushtimi i plotë i Rusisë, ai paralajmëroi se dhënia e tokës do të thotë se Rusia mund të “vazhdojë të kthehet”, ndërsa armët perëndimore do të afrojnë paqen.
Zelensky tha gjithashtu se një ofensivë e parashikuar pranverore kishte filluar tashmë.
“Sulmet ruse po ndodhin tashmë nga disa drejtime”, tha ai.
Megjithatë, ai beson se forcat e Ukrainës mund të vazhdojnë t’i rezistojnë përparimit të Rusisë derisa të jenë në gjendje të nisin një kundërofensivë, megjithëse ai përsëriti thirrjet e tij për më shumë ndihmë ushtarake nga Perëndimi.
“Sigurisht, armët moderne përshpejtojnë paqen. Armët janë e vetmja gjuhë që Rusia kupton”, tha Zelensky për BBC.
Ai u takua me liderët e MB dhe BE javën e kaluar në një përpjekje për të forcuar mbështetjen ndërkombëtare dhe për të kërkuar armë moderne për të mbrojtur vendin e tij. Kur presidenti i Ukrainës kërkoi avionë luftarakë modernë, kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Rishi Sunak tha se “asgjë nuk është jashtë tryezës”.
Por Kievi është bërë gjithnjë e më i frustruar me shpejtësinë me të cilën kanë mbërritur armët perëndimore. Dorëzimi i tankeve të betejës – të premtuara muajin e kaluar nga një sërë vendesh perëndimore , përfshirë Gjermaninë, SHBA-në dhe Britaninë e Madhe – mendohet se janë ende disa javë larg mbërritjes në fushën e betejës.
Zelensky adresoi gjithashtu një kërcënim të liderit të Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, për të zhvilluar luftë së bashku me trupat ruse nga territori i tij, nëse një ushtar i vetëm ukrainas kalon kufirin.
“Shpresoj se [Bjellorusia] nuk do t’i bashkohet [luftës]”, tha ai. “Nëse ndodh, ne do të luftojmë dhe do të mbijetojmë”.
Lejimi i Rusisë që të përdorë Bjellorusinë si një stacion për një sulm përsëri do të ishte një “gabim i madh”, shtoi ai.
Kur u pyet nëse ishte i befasuar nga taktikat e Rusisë në luftë, Zelensky i përshkroi ato si “të pavlera”./21Media

Back to top button