Zelensky: Terrori i Mariupolit do të hyjë në histori

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky dënoi bombardimet e pandërprera të Rusisë në Mariupol, qytetin port të rrethuar nga trupat ruse në juglindje.

Ai pretendoi se forcat ruse në qytet do të hynin në histori si përgjegjëse për krimet e luftës.

”Të bësh këtë ndaj një qyteti paqësor, ajo që bënë pushtuesit, është një terror që do të mbahet mend për shekujt e ardhshëm”, tha ai.

Për më shumë se dy javë, qyteti ka parë bombardime të shpeshta që kanë ndërprerë të gjithë energjinë elektrike, gazin, ujin e rrjedhshëm dhe furnizimet e tjera.

Sulmet ruse kanë goditur strehimoret e civilëve, një spital për fëmijë dhe maternitet, si dhe disa ndërtesa banimi. Të mërkurën një bombë ra në një teatër ku ishin strehuar qindra njerëz.

Më shumë se 2,400 njerëz thuhet se janë vrarë në qytet, ka varre masive dhe trupa në rrugë.

Forcat ruse kanë avancuar më thellë në qytet. Së bashku me bombardimet ajrore, tani ka edhe raporte për luftime intensive në rrugë.

Të shtunën, një zyrtar i lartë i mbrojtjes në Mbretërinë e Bashkuar i tha BBC-së se Rusia po përdor një strategji të gërryerjes në Ukrainë./21Media

Back to top button