Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ku po diskutohet për menaxhimin e situatës me Covid-19, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj është përplasur me deputetët e VV-së.

Pas fjalimit të Zemajt, ka reaguar deputeti i VV-së, Shpejtim Bulliqi i cili i tha Zemajt që në ditën e parë të tij si ministër i Shëndetësisë kanë qenë pesë të infektuar, ndërsa mbrëmë 216. Sipas Bulliqit, sa më shumë që zgjat qeverisja e tyre, do të ketë numër rekord të të infektuarve.

E ministri Zemaj iu përgjigj ashpër, duke ia hedhur fajin VV-së për shtimin e numrit të rasteve pas protestës së VV-së. Ai u ka thënë deputetëve që ta mbyllin seancën për publikun dhe siç ka thënë ai, do t’i bëjë publike emrat e anëtarëve të VV-së që u infektuan me virus pas tubimit të kësaj partie.

Ai madje i tha njërit prej deputetëve të VV-së që i ka simptomat e Covid-19 dhe i kërkoi ta bëjë testin.

“Pas karantinimit të plotë të Kosovës ka qenë normale edhe 5, 4 raste edhe 2 raste. Infeksionet janë shpërndarë në mënyrën marramendëse pas tubimit të datës 12 qershor. Mbyllni seancën për publikun dhe ua lexoj me emra anëtarët, aktivistët, që janë të infektuar me Covid-19 pas datës 12 qershor. Ju jeni të dyshuar, të infektuar, jeni persona kontakti, shkoni bëni testet, pse po ikni nga testet. Pse po ikni nga testet? Ti je me simptoma, shihesh që je me simptoma, sytë të kallxojnë qe je me simptoma.”, ka thënë Zemaj./21Media