Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj në këto momente ka mbyllur disa lokale në Prishtinë, bëhet fjalë për “Kafenetë e vogla”.

RTV21 ju sjell disa pamje nga momenti i mbylljes ku shihet Zemaj bashke me policinë e Kosovë.

“Pas inspektimit nëpër kafene shihej se nga 8 persona ishin në një tavolinë”, tha Zemaj për RTV21.

Sipas njoftimit të Policisë, ministri Armend Zemaj dhe u. d. Samedin Mehmeti, qëndruan për disa orë së bashku me zyrtarët policorë dhe inspektorët, të cilët me përkushtim kryenin detyrat e caktuara, përfshirë edhe shqiptimin e gjobave ndaj mos zbatuesve të masave ndaj pandemisë.

“Me qëllim të parandalimit dhe zvogëlimit të përhapjes së pandemisë, Ministri Zemaj dhe u. d. drejtori Mehmeti kërkuan që të vazhdohet me ndërmarrjen e masave të menjëhershme ndaj të gjithë shkelësve të vendimeve dhe masave që lidhen me COVID-19, ç’do herë duke u bazuar në Ligjin për parandalimin dhe luftimin e pandemisë”, thuhet në njoftim.

Ministria e Shëndetësisë, ka paralajmëruar se Komiteti për vlerësimin dhe koordinimin e situatës epidemiologjike rreth Covid-19 do të mblidhet nesër për të shqyrtuar propozimet e reja për aplikimin e disa masave me qëllim që të parandalohet përkeqësimi i situatës epidemiologjike që do të mund të çonte te kufizimet ekstreme.

Në Kosovë gjatë 24 orëve të fundit vdiqën katër persona, të cilët ishin të prekur me Covid-19, ndërsa u konfirmuan 418 raste të reja, derisa u shëruan 67 pacientë./21Media