Zemaj: Ditët e ardhshme do të licencohen edhe laboratorë të tjerë për testime për COVID-19

 

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka thënë se licencimi i institucioneve private shëndetësore për kryerjen e testeve SRS-Cov-2 ka qenë më se i nevojshëm dhe si proces tërësisht do të përfundojë gjatë kësaj jave, me shtrirje në të gjithë territorin e Kosovës.

Zemaj në një shkrim në Facebook u shpreh se gjatë javës do të publikohen edhe emrat e institucioneve të tjera, të cilave do t’u lejohet kryerja e testeve për SARS-Cov-2.

“Deri më tash, Bordi për Licencim të Institucioneve Private Shëndetësore ka shqyrtuar 34 aplikacione (nga mbi 100 sa kanë aplikuar) të institucioneve private shëndetësore, të cilat kanë bërë kërkesa për lejimin e shërbimit të testimeve për SARS-Cov-2. Bordi ka konstatuar se 29 prej këtyre institucioneve i plotësojnë kriteret për kryerjen e testimeve për SARS Cov-2. Prej 29 ISHP të licencuara, 27 do të kryejnë testime serologjike, ndërsa 2 të tjera do të kryejnë testime molekulare (RT-PCR). Bordi për Licencim të Institucioneve Private Shëndetësore po vijon me shqyrtimin e aplikacioneve të institucioneve private dhe gjatë javës do të publikohen edhe emrat e institucioneve të tjera, të cilave do t’u lejohet kryerja e testeve për SARS-Cov-2.”, shkroi Zemaj.

Zemaj u shpreh se nga nesër, Inspektorati Shëndetësor do të kryejë inspektime në institucionet të cilave u është lejuar kryerja e testimeve, për të parë nga afër gatishmërinë e tyre për t’i kryer testimet dhe për t’i verifikuar të dhënat e prezantuara nga këto institucione me rastin e aplikimit dhe dhënies së Deklaratës nën betim për kushtet e plotësuara për kryerjen e testimeve sipas Udhëzimit Administrativ 01/2020 për plotësimin dhe ndryshimin e Udhëzimit Administrativ 09/2014, Kushtet për punë sa i përket hapësirës, kuadrit profesional dhe pajisjeve medicinale të institucioneve private shëndetësore jashtëspitalore dhe Udhëzimit Administrativ 02/2020 për plotësimin dhe ndryshimin e Udhëzimit Administrativ 06/2015 Kushtet e përgjithshme dhe të veçanta spitalore./21Media

Back to top button