Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj e falënderoi Qeverinë e Shqipërisë për mundësinë e dhënë, që një numër i konsideruar i profesionistëve shëndetësor nga Kosova të vaksinohen kundër COVID-19 në Kukës.

“Në kohën kur institucionet e ndryshme ndërkombëtare, të cilat gjatë gjithë pandemisë shteteve të Ballkanit u kanë mbajtur ligjërata për “qasjen dhe mundësitë e barabarta” dhe kur “solidariteti” i proklamuar prej tyre për sigurimin e vaksinave kundër COVID-19 është tretuar nga “nacionalizmi” i vaksinave, ndihma e Shqipërisë për Kosovën, ka peshë edhe më të madhe dhe tregon se edhe të vegjëlit mund të ja dalin kur punojnë së bashku dhe nuk u mungojnë vlerat.”, u citua se tha Zemaj, informoi MSH.

Ministri u shpreh i bindur se profesionistët shëndetësor nga Kosova do ta vlerësojnë gjithmonë këtë kontribut të Qeverisë së Shqipërisë.

“Falënderimi më i mirë nga ana e tyre është kujdesi që ata kanë treguar dhe po tregojnë  gjatë gjithë këtyre muajve të pandemisë për qindra pacientë me Covid-19  nga zonat e veriut të Shqipërisë, të cilët në Spitalin e Prizrenit, Spitalin e Gjakovës, por edhe në QKUK, gjetën një trajtim sa profesional, aq edhe vëllazëror.”, u bë e ditur tutje në komunikatën e ministrisë.

Ndryshe, dje në Kukës nisi vaksinimi i personelit mjekësor nga Kosova, i përfshirë në betejën me koronavirus./21Media