Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj pasditen e së dielës bashkë me Inspektoratin Sanitar ka dalë në teren në Podujevë për të parë nga afër respektimin e masave anti-Covid-19 gjatë procesit zgjedhor.

Kreu i shëndetësisë pasi inspektoi qendrën më të madhe të votimit “Isa Boletini” kërkoi nga qytetarët të kryejnë obligimin e tyre për votim, por duke respektuar masat që parandalojnë shpërndarjen COVID-19.

“Ishim bashkë me Inspektorati Sanitar, me dy ekipe ka edhe ekipe tjera që janë në vëzhgim dhe mbikëqyrje të zbatueshmërisë së masave. Ka qendra të mëdha, ku kërkuam distancë dhe respektim të masave anti-Covid. Është interes i të gjithëve të ruajmë shëndetin krahas obligimit ligjor dhe të drejtës për të votuar”, ka thënë Zemaj.

Zemaj ka thënë se kryesisht ka respektim të masave, por duhet angazhim më i madh për distancë dhe higjienë.

“Janë disa vende të cilat respektohen maksimalisht, ndoshta edhe për shkak të kushteve që ofrojnë shkolla, apo objektet të ndryshime. Procesi zgjedhor edhe ashtu kërkon një distancë edhe atë që e quajmë të drejtën e fshehtë për të votuar. Pamë edhe obligimet e KQZ-së në plotësimin e kushteve në qendrat e votimit”, ka thënë Zemaj.

Ai në fund pati edhe një porosi për qytetarët.

“Porosia ime është që të ruajmë shëndetin dhe parandalojmë shpërndarjen e COVID 19”, ka thënë Zemaj.