Zemaj ka një lutje për prindërit dhe personelin arsimor

 

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka reaguar pas publikimit të disa pamjeve ku ishin neglizhuar masat anti-covid nga disa prindër dhe arsimtarë, të grumbulluar para dyerve të shkollave.

“Dje, isha për vizitë në dy shkolla në komunën e Prishtinës dhe të Vushtrrisë, për të parë përgatitjet për mësim. Por, është për keqardhje pamjet e publikuara nga disa shkolla tjera për neglizhencën e masave nga disa prindër dhe arsimtarë, të grumbulluar para dyerve të shkollave, pa maskat mbrojtëse”, thuhet në reagimin e Zemajt.

Ai përmes një postimi në “Facebook” ka lutur prindërit dhe personelin arsimor të tregohen të përgjegjshëm dhe me përpikëri të vazhdojnë t’i respektojnë masat.

“Çdo neglizhencë e rekomandimeve anti covid, rrezikon shëndetin e përgjithshëm dhe nuk do të tolerohet. Ne, do të vazhdojmë angazhimin që të respektohen masat anti covid dhe të ruhet shëndeti i fëmijëve dhe nxënësve! Vetëm bashkë mund t’ia dalim!”, ka thënë tutje Zemaj./21Media

Back to top button