Ministri i shëndetësisë, Armend Zemaj kërkoi që orari i policisë të zgjatet në 12 orë në mënyrë që të parandalohet përkeqësimi i situatës me Covid-19 në Kosovë.

Ai po ashtu kërkoi që të jenë në terren inspektorët, si dhe pati një paralajmërim për gastronominë.

“Inspektimet do të vazhdojnë me ritëm të shtuar, gjobat të shqiptohen sipas Ligjit për luftimin e pandemisë Covid-19 dhe nuk do të lejohet asnjë lloj shkarje prej ligjit, i cili duhet të zbatohet me përpikëri.Nga nesër do të jenë në teren edhe 75 inspektorë sanitar, ndërsa nga Policia e Kosovës do të kërkojmë kthim të orarit të punës nga 12 orë në ditë .Tash, kur gastronomia mund të punojë edhe brenda hapësirave të lokaleve të veta, distanca në mes të tavolinave, higjiena dhe mbajtja e maskave si nga personeli po ashtu edhe nga mysafirët janë të domosdoshme.”, shkroi Zemaj në Facebook.

Ai edhe njëherë tërhoqi vërejtjen që të mos ketë tubime dhe dasma .

“Aty ku ka neglizhencë, aty ku vazhdohet me dasma dhe tubime të tjera familjare, aty do të ketë mbyllje, pa paralajmërim, në të kundërtën masat e reja do të jenë të domosdoshme. Tashmë kur lakorja e infeksionit po rritet në Evropë dhe Botë, dhe kur masat e mbylljes dhe karantina po kthehen në ato vende me risk të lartë të infeksionit, ne si Kosovë nuk guxojmë t’i lemë rastit asgjë. Kjo është një sfidë e madhe që na takon të gjithëve dhe të gjithë së bashku do të ia dalim!”,  përfundoi Zemaj.

Ditëve të fundit është vërejtur shtim i rasteve me Covid-19 në Kosovë, vetëm sot janë shënuar 98 raste të reja./21Media