Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka falënderuar qytetarët duke thënë se falë tyre, Kosova është radhitur në vendin e 7-të për menaxhimin më të mirë ndaj COVID-19.

“Ju jam falënderues që asnjëherë nuk u lodhët duke na qëndruar në krahë për të ardhur këtu ku jemi. Falë juve, sot, ne mund të krenohemi që jemi në 7 vendet me menaxhimin më të mirë ndaj COVID-19 dhe duke besuar thellë në juve, jam i bindur që do t’ia dalim mbarë dhe ta mposhtim këtë virus”, ka shkruar Zemaj në Facebook.

Zemaj ka thënë se përtej menaxhimit të pandemisë COVID-19, nuk i ka lënë anash edhe obligimet e tjera.

“Përtej menaxhimit të Pandemisë dhe fokusit tek luftimi i virusit COVID-19, bashkë me ekipin tim, profesionistët shëndetësorë dhe bashkëpunëtorët, asnjëherë nuk i kam lënë anash edhe obligimet tjera për sistemin shëndetësor”, ka shkruar ai.

Zemaj ka thënë se qytetari i  Kosovës, çdo herë dhe në çdo kohë ka nevojë për shërbime të mira shëndetësore, meriton sigurime shëndetësore, vaksina sezonale por edhe për ato kundër COVID-19, më shumë kontrolle me mamografi dhe rregull nëpër klinika, QKMF dhe spitale, barna e kushte në sallat e operacionit, pengimin e infeksioneve dhe kohë sa më të shkurtër të pritjes për operacion apo kontroll specialistike.

“E di se brengoseni kur merrni rrugë jashtë vendi për trajtim, brengë për mjekët që largohen dhe infermierët që mësojnë gjuhë të huaja për të shkuar diku, për agresivitetin kundër stafit mjekësor, për fyerjet që i bëjnë personat me qëllim të njollosjes së punës së mjekëve, e di. Nuk është e lehtë. Megjithatë, sivjet, sistemit publik shëndetësor, iu kanë shtuar 1.500 specializantë”, ka thënë ministri.

Në 24 orët e fundit në Kosovë janë regjistruar 49 raste pozitive me COVID-19 nga 680 testime që janë bërë, 53 qytetarë të tjerë e kanë fituar betejën me COVID-19 kurse 2 të tjerë kanë vdekur nga ky virus./21Media