Zemaj: LDK kërkon marrëveshje klasike politike për presidentin

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, tha se kryeministri Albin Kurti nuk ka përpjekje serioze për të gjetur zgjidhje për zgjedhjen e presidentit. Në një bisedë për RTV21, deputeti Zemaj kërkoi nga Kurti transparencë dhe konsensus, ashtu siç e kërkon figura dhe personaliteti i presidentit.

“Do të dëshironim që të kishte korrektësi në këtë proces, i cili është i rëndësishëm për institucionet e Kosovës dhe stabilitetin institucional. Ajo që kemi parë deri më tani nuk tregon një qasje të tillë nga zoti Kurti dhe LVV-ja, duke e vazhduar qëllimin e bllokadës ose shkuarjes në zgjedhje të parakohshme, për të cilat kemi thënë vazhdimisht se duhet të tentohet të tejkalohen për shkak të interesit më madhor të Kosovës. LDK-ja është konsistente në qëndrimet e saj, ka kërkuar transparencë dhe konsensus, ashtu siç i takon figurës dhe personalitetit të presidentit të Kosovës. Pjesa tjetër do të duhej të diskutohej për një marrëveshje, e cila është klasike politike, por që asnjëherë nuk ka ardhur në shprehje dhe as në tavolinë.”, tha Zemaj./RTV21

Back to top button