Ministria e Shëndetësisë dhe Qendra Kosovare për Luftimin e Kancerit të Gjirit “Jeta/Vita” kanë organizuar diskutim kushtuar muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit.

Ministri Armend Zemaj ka thënë se ky takim është për të dhënë mesazhet për të shërbyer si qasje e tyre për plotësimin e nevojave, por edhe luftimin e hershëm të kësaj sëmundjeje.

Luftimi i kancerit të gjirit është luftë që nuk fillon në muajin e tetorit. Nuk është e lehtë, por nëse ndiqni rekomandimet, gjasat për të fituar betejën janë të mëdha. Me hetimin e hershëm të kësaj sëmundjeje tinëzare, fitohet beteja. Jemi këtu për të thënë mesazhin se lufta tinëzare ka shërim vetëm nëse zbulohet herët”, ka thënë ai.

Ish-presidentja, Atifete Jahjaga ka theksuar se këtë vit nuk po organizohet ecja tradicionale, por që sipas saj, ky muaj duhet të reflektojë për shëndetin dhe rrezikun e kësaj sëmundje.

Fatkeqësisht viteve të fundit kemi vërejtur numër më të madh të të prekurve. Është muaj qe ne me vite të tëra kemi shfrytëzuar si muaj i avokimit për kujdes më të madh për shëndetin e gjithsecilit. Lutja ime sot është që të jemi më egoist për shëndetin e familjarëve tanë. Unë ju kisha lutur që kjo listë e prioriteteve të ndryshojë dhe se pari të kujdesimi për vetën. Zakonisht në këtë ditë ne kemi kujtuar ata dhe ato që nuk janë në mesin tonë”, ka theksuar ajo.

Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Luftimin e Kancerit “Jeta/Vita”, Nafije Latifi theksoi se që 15 vjet si organizatë janë duke pasqyruar gjendjen jo të mirë të grave në përballjen me këtë sëmundje.

Në vazhdimësi edhe këtu sot bëj kërkesë që të shtohen mundësitë që gratë të kenë mundësi më të madhe për diagnostikim, mos të ketë pritje të gjata dhe të kenë mbështetje psiko-sociale dhe fizioterepatutike dhe të mos ndjehen keq ato pa flokë, këto duhet të rregullohen me ligj nga institucionet dhe të mos priten lëmoshë”, është shprehur ajo.