Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj bashkë me Policinë e Kosovës dhe Inspektoratet sot ishte në një nga qendrat tregtare në kryeqytet me qëllim të parandalimit të grumbullimit të njerëzve me rastin e “Black Friday”.

Me këtë rast, Zemaj u shpreh se shëndeti individual dhe kolektiv i popullatës sonë është shumë më i rëndësishëm se çdo produkt që mund të blihet në këto ngjarje.

Ai përmes një shkrimi në facebook iu bëri thirrje qytetarëve që në këtë kohë pandemie, të shmangin grumbullimet e panevojshme, sepse një gjë e tillë është në dëm të shëndetit të të gjithëve.

“Kërkoj nga organet e rendit dhe inspektoratet që të jenë në krye të detyrës dhe kudo që hasin në organizime të tilla, të marrin masa në bazë të ligjit dhe vendimeve në fuqi.”, shkroi Zemaj në facebook.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës informoi se gjatë 24 orëve të fundit vdiqën 12 persona që ishin të prekur me Covid-19, ndërsa, u konfirmuan edhe 764 raste të reja.

Ndryshe, një javë më parë Ministria e Shëndetësisë ka marrë vendim për ndalimin e mbajtjes së “Black Friday”. Kjo për shkak situatës së pandemisë COVID-19./21Media