Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka thënë se armiku i padukshëm, Covid-19 vazhdon të kërcënojë shëndetin tonë.

Përmes një postimi në llogarinë e tij “Facebook” ai ka shkruar se së fundi nga kjo pandemi janë prekure dhe institucionet kryesore të shtetit, duke theksuar se kjo e hedh poshtë idenë e atyre që mendja iu punon për konspiracione duke pretenduar se virusi nuk ekziston.

“Disa qytetarë të Kosovës dhe mijëra persona në mbarë globin fatkeqësisht kanë humbur jetën. Nga kjo pandemi së fundi janë prekur edhe institucionet kryesore të shtetit. Kjo e hedh poshtë idenë e atyre që mendja iu punon për konspiracione dhe që pretendojnë se virusi nuk ekziston, ose e relativizojnë rrezikun e tij. Kjo luftë po zhvillohet kryesisht në frontin e shëndetësisë. I tërë personeli mjekësor në klinikat e QKUK dhe në spitalet rajonale është i mobilizuar maksimalisht. Klinika Infektive në Prishtinë duhet përforcuar me kapacitete të reja”, ka shkruar Zemaj.

Ministri ka bërë thirrje për kujdes dhe të respektohen udhëzimet, ai theksoi se për shkelësit e rregullave do të ketë gjoba.

“Është detyrë e elitave intelektualëve, punëtorëve, burrave, grave, rinisë dhe gjyshërve, që të reflektojnë. Kujdesuni për familjen dhe të dashurit! Reduktoni kontaktet, që të evitohet përhapja e virusit! Të mos paguajmë kosto të lartë. Sistemi ynë shëndetësor të mos mbingarkohet. Respektoni udhëzimet e “Manualit për mbrojtje nga përhapja e virusit COVID-19”, ka shkruar tutje Zemaj.

Në Kosovë deri më tani janë konfirmuar 2 mijë e 677 raste , prej tyre 49 persona kanë vdekur dhe 1 mijë e 425 janë shëruar./21Media