Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj tha se kapacitetet tona po rritën duke njoftuar se edhe 20 inspektorë sanitar dhe 100 mjekë, 62 infermierë, 8 laborantë, 6 punonjës staf teknik dhe mbështetës do të fillojnë punën kundër Covid-19.

Ai tha se këta do të jenë të angazhuar në tërë Kosovën.

“Do të mbikëqyrën nga inspektorati përkatës që funksionon në Ministrinë e Shëndetësisë. Kjo po bëhet në kuadër të rritjes së kapaciteteve të luftës kundër pandemisë Covid-19. Inspektorët e rinj do të kryejnë inspektime sanitare, kontrolle për sigurinë dhe cilësinë e ushqimit, higjienës së ushqimit, përpunimit, tregtimit, paketimit, ripaketimit, deponimit, transportimit të ushqimit. Do të zbatojnë legjislacionin për Parandalimin dhe luftimin e Sëmundjeve ngjitëse. Do të inspektojnë institucionet publike dhe private, produktet ushqimore dhe jo ushqimore; shtesat dhe aditivët në ushqim; higjienën në institucione publike dhe private; ujin për pije, pijet freskuese dhe joalkoolike; subjektet afariste të cilat merren me ushqim, përfshirë edhe zbatimin e parimeve të sistemit HACCP për kontrollin e ushqimit; objektet hoteliere. Do të japin pëlqime sanitare për kushtet sanitaro – teknike dhe higjienike në procesin e dhënies së lejeve ndërtimore për objektet”, ka shkruar Zemaj.

Në fund ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka apeluar qytetarët të respektojnë masat parandaluese.

“Ju lutemi respektoni masat mbrojtëse! Vendosni maskat!Ruajeni distancën! Mbajeni higjienën personale e kolektive!”, ka përfunduar Zemaj./21Media