Edhe sikur ta informonim një ditë më parë ministrin kosovar, se do po vendosim kushtin për hyrje në Maqedoni me PCR test, asgjë nuk do të ndryshonte sepse vendosja e masave ka ardhur pas shqyrtimit të të dhënave për gjendjen me Kovid-19 në vendet e rajonit.

Kështu i është përgjigjur ministri Venko Filipçe homologut të tij nga Kosova, Armend Zemajt.

“Edhe sikur të informohej një ditë më parë nuk e di se çfarë do të ndryshohej. U diskutua në mëngjes në Komision dhe ia propozuam atë Qeverisë dje duke u bazuar në të dhënat që bazohen në numrin e përgjithshëm të testimeve që dalin pozitive. Kjo do të thotë se virusi në këto shtete është në nivel të lartë. Përveç kësaj, ka edhe informacione se janë plotësuar kapacitetet spitalore në më shumë qytete”, tha Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.

Kjo deklaratë e Filipçes erdhi pas reagimit të ministrit të Shëndetësisë së Kosovës, Armend Zemaj i cili vendimin për rikthim të masave në kufi për shtetasit e Kosovës e cilësoi si të padrejtë dhe tha se nuk ka qenë i informuar paraprakisht.

“Ndoshta kjo është një momentum i ri. Për këtë situatë të re nuk më kanë njoftuar. Me të thanë të drejtën, sinqerisht pak më duket e padrejtë, sepse në kohën kur kishte rritje të numrit, kur ka pasur shumë ma shumë raste, unë me mirëkuptimin dhe bashkëpunimin që e kanë dy Institutet, por edhe me komunikim me ministrin atje, kemi treguar mënyrë të bashkëpunimit për lëvizjen e lirë të qytetarëve”, u shpreh Armend Zemaj, Ministër i Shëndetësisë në Kosovë.

Zemaj paralajmëroi se do ta analizojë situatën dhe nuk e përjashtoi mundësinë që kushte të vendos edhe Kosova për shtetasit e Maqedonisë së Veriut. Për këtë komentoi edhe Filipçe.

“Ndoshta do të duhet të njëjtën masë edhe Republika e Kosovës ta përdor ndaj të gjitha vendeve”, tha Armend Zemaj, Ministër i Shëndetësisë në Kosovë.

“Nëse ndokush vlerëson se gjendja epidemiologjike në vendin tonë është e tillë, që duhet të futen PCR, ajo është politikë nacionale. Ne këtë e bëjmë që t’i mbrojmë qytetarët tanë”, potencoi Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.

Përndryshe, nga mesnata e sotme shtetasit e Kosovës, Bosnje e Hercegovinës, Malit të Zi dhe Serbisë për të hyrë në vendin tonë do të duhet të tregojnë test PCR negativ për Kovid-19 dhe jo më të vjetër se 72 orë. Bashkë me këtë, ata janë të obliguar edhe të nënshkruajnë deklaratë për vendin dhe kohëzgjatjen e qëndrimit në vendin tonë. /TV21