Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka paralajmëruar sanksione ligjore për personat që nuk i respektojnë masat e reja që kanë hyrë në fuqi nga sot. I pari i Shëndetësisë në një shkrim në Facebook, përmendi masat që i ka ndërmarrë Qeveria Hoti dhe kërkoi nga qytetarët t’i respektojnë ato.

“MASAT PARANDALUESE: Për të parandaluar virusin është vendosur që të ndalohet lëvizja në disa komuna gjatë orarit të caktuar, reduktim të numrin të të punësuarve në institucione, reduktim të shërbimeve shëndetësore jo esenciale në institucione shëndetësore, krijim të kapaciteteve të reja testuese në regjione, licencim të institucioneve shëndetësore private për të kryer testime për Covid-19, blerje të 100,000 testeve virologjike, 500,000 vaksinave të gripit sezonal, porosi të vaksinës eventuale kundër Covid-19, blerje të 7 aparateve për testim, sigurim të terapive të Covid-19, pagesë dhe buxhet shëndetësor shtesë për personelin shëndetësor, pajisje mbrojtëse për personelin mjekësor, etj. Ministria e Shëndetësisë ka përgaditur “Planin e veprimit për zbatimin e procedurave të testimit me Covid-19” që do të zbatohet menjëherë.”, shkroi mes tjerash Zemaj.

Tutje ministri Zemaj ka bërë të ditur se institucionet shëndetësore do t’i rrisin kapacitetet me shtretët dhe pajisje mjekësore, si dhe kapacitetet e tjera, në luftë ndaj Covid-19.

“KAPACITETET: Institucionet shëndetësore do të rrisin kapacitetet me shtretër dhe pajisje mjekësore për të trajtuar rastet me Covid-19, do të riorganizohen klinikat në SHSKUK-së, do të krijohen kapacitetet shtesë me shtretër në spitalet rajonale, në institucionet private shëndetësore do të krijohen kapacitete shtesë më shtretër, do të riorganizohet dhe rritet personeli mjekësor shëndetësor, mobilizimi stafit mjekësor në nivel vendi, në veçanti shtohen kapacitetet në shërbimin e mikrobiologjisë, infektologjisë dhe shërbimeve të tjera të lidhura drejtpërdrejt me rastet Covid-19.”, ka shkruar ai në Facebook./21Media