Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka prezantuar masat e reja kundër COVID-19. Zemaj tha se virusi është akoma aktiv, porse kërkon nga qytetarët kujdes dhe angazhim në zbatimin e rekomandimeve nga MSH dhe IKSHPK.

Zemaj deklaroi se pas analizës së bërë në terren, me hapjen e kufijve, me lehtësimin e masave për qarkullimin e lirë të njerëzve, IKSHPK rekomandon:

1. Kontrollin e detajuar për udhëtarët që hyjnë në Kosovë duke marrë shënime të sakta për vend qëndrimet në Kosovë, adresa dhe numri i telefonit, për përcjelljen e gjendjes së tyre klinike nga QKMF-të e komunave përkatëse.

2.Kontrolli i detajuar kryhet sipas udhëzuesve të OBSH-së, që konsiston në matjen e temperaturës, shenjat dhe simptomat klinike si dhe kontaktet eventuale të dy javëve të fundit me persona pozitiv ose të dyshimtë për COVID-19.

3.Bazuar në rekomandime, që nga e hëna, qytetarët të cilët hyjnë në Kosovë nuk do t’i nënshtrohen masës së vetizolimit për shtatë ditë, ndërsa në vend të testimit të obliguar për COVID-19, për ata që hyjnë do të jenë kontrollat nga ekipet mjekësore në pikat kufitare,

4. Bazuar në situatën epidemiologjike, do të mundësohet lëvizja e lirë e qytetarëve dhe mallrave veçanërisht me Republikën e Shqipërisë,

5. Nga dita e hënë hiqet masa/kufizimi i lëvizjes së lirë prej orës 21:00 deri në orën 05:00 të mëngjesit.

Zemaj kërkoi të respektohen me përpikmëri rekomandimet e dhëna, të mbahen maskat dhe të respektohet distanca. Në fund kërkoi nga qytetarët, bizneset, gastronomia, t’i përmbahen rregullave./21Media